Maqedoni
Prokuroria Publike: Aksioni “Erasmus” sipas standardeve botërore
08.06.2016 14:36
Hetimi për veprime korruptive në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup ka zgjatur dy vjet...

Hetimi për veprime korruptive në Fakultetin e Ekonomisë në Shkup ka zgjatur dy vjet, por ditën kritike kur policia realizoi aksionin Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, që po merret me rastin, ka marrë alarmin se do të dorëzohet ryshfeti.
Këto të dhëna i shpalosi Prokurorja Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Lidija Raiçeviç, e cila njoftoi se janë arrestuar pesë profesorë, një demonstrues dhe pronari i bufesë së Fakultetit të Ekonomisë nën dyshimin se kanë marrë ryshfet nga studentë në këmbim të notave kaluese në lëndët të cilat ata i ligjërojnë.
“Organizimi i aksionit meriton lëvdata dhe jo kritika. Asnjë e drejtë themelore e njeriut nuk është shkelur gjatë këtij aksioni policor. Hetimet kanë filluar që në vitin 2015, por mungesa e provave materiale e ka zgjatur kohën e hetimeve deri kur janë siguruar dëshmitë, për çka profesori i Fakultetit të Ekonomisë, Bobek Shuklev, u ndalua në parkingun e universitetit tek i cili janë gjetur 1000 euro.”- deklaroi prokurorja publike, Lidija Raiçeviç.
Nga Prokuroria Publike mohuan konstatimet se me aksionin policor në hapësirat e universitetit është shkelur autonomia e universitetit.
“Policia dhe organet e tjera shtetërore në situata kur ballafaqohen me një person, i cili kapet në momentin e krimit ose duhet të pengojë ekzekutimin e një krimi, janë të lirë të hyjnë në këtë hapësirë. Në të gjitha situatat e tjera rektori duhet të njoftohet. Autonomia, sipas definicionit, nuk do të thotë anarki.”- tha prokurorja publike, Lidija Raiçeviç.
Gjykatësi në procedurën paraprake pesë të dyshuarve kryesorë në aksionin “Erasmus” u ka shqiptuar masën e kujdesit, më konkretisht sigurimin e prezencës së tyre të rregullt në gjykatë, duke ua konfiskuar pasaportat. Prokuroria Publike deri më sot ka siguruar dëshmi për ryshfet në vlerë prej 2.800 euro.
SANIJE DURAKU
