“Revolucioni laraman”, bllokohet për dy orë qendra e Shkupit
08.06.2016 14:37
“Revolucioni laraman” dhe Lëvizja “Protestoj” bllokuan për dy orë kryeqendrën në udhëkryqet kryesore të saj...

Kjo bllokadë, sipas protestuesve, tregon në mënyrë simbolike se si është të jetohet në një shtet tërësisht të bllokuar. Protestat janë vetëm fillimi, thonë nga “Protestoj”, duke paralajmëruar edhe aksione të tjera më radikale në ditët në vazhdim nëse Qeveria nuk u plotëson në kohë gjashtë pikat e ultimatumit të dhënë të hënën.
“Këto janë protesta të cilat çojnë deri në radikalizim për përmbushjen e kërkesave, të cilat i kemi vendosur si ultimatum deri më datën 18 qershor. Në ditët në vijim do të vendosen hapat e mëtejmë të radikalizimit të këtyre protestave. Do të qëndrojmë në rrugë derisa Qeveria nuk do të vetëdijesohet.”- tha një protestues.
“Këto protesta në fakt janë fillimi i radikalizimit të protestave tona për shkak të opstrukcioneve të Qeverisë që bëhen kohëve të fundit.”- theksoi një protestues.
Gjashtë kërkesat e “Revolucionit laraman” përfshijnë deklarimin e Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Gjykatës Speciale, ndërprerjen e të gjitha procedurave kundër demonstruesve, dorëheqjen e Qeverisë dhe formimin e një qeverie kalimtare, formimin e një gjykate speciale që do të merret me rastet e ngritura nga PSP, përfshirjen e qytetarëve në zgjidhjen e krizës dhe dorëheqjen e presidentit Ivanov.
Organizatorët e protestave thanë se më nuk do të ketë protesta në orën 18, por se për çdo ditë do të organizohen aksione të ndryshme të protestave gjatë ditës, intensiteti i të cilave do të varet nga niveli i përmbushjes së kërkesave të tyre.
Në aksionin e fundit humanitar të “Revolucionit laraman” u mblodhën rreth 15 mijë euro për t’i paguar gjobat për protestuesit e dënuar nga MPB për prishje të pronës publike.(Rexhep Qamili, TVM2)
