Botë

Papua Guinea e Re, policia përleshet me studentët, katër të vdekur

08.06.2016 15:14

Katër persona mbeten të vdekur dhe shumë të tjerë u lënduan në Papua Guinenë e Re gjatë protestave të studentëve...

Policia hapi zjarr mbi protestuesit, studentë të Universitetit të PNG-së, e më pas edhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
 
Një situatë e ngjeshur me trazira politike ka shtuar shqetësimin e popullatës në këtë ishull, e cila i bën thirrje kryeministrit, Peter O'Neill, të japë dorëheqje, pasi që akuzohet për korrupsion.
 
Protestat janë shtrirë edhe në qytete tjera të vendit, por nuk ka ende konfirmime zyrtare për numrin e viktimave edhe pse mediat flasin për katër studentë të vrarë. Burime zyrtare nga Spitali “Port Moresby General” raportuan se 38 viktima ishin trajtuar aty.  
 
Kryeministri  O'Neill në një deklaratë njoftoi se nuk ka studentë të vrarë dhe se pesë protestues të plagosur janë në gjendje të qëndrueshme. Protesta eskaloi në dhunë kur studentët filluan një marshim të planifikuar nga kampusi në drejtim të ndërtesës së parlamentit, ku policia kishte ngritur një bllok rrugë.
 
"Policia nuk e pëlqen këtë ide dhe filloi t’i sulmojë studentët, duke i shtyrë ata dhe duke i goditur me bishtat e armëve, para se të gjuajnë në ta. Studentët vraponin të fshiheshin në çdo drejtim, por kam parë shumë nga ata të plagosur rëndë.”- deklaroi udhëheqësi i protestës, Noel Anjo.
 
Videot në rrjetet sociale dëshmojnë se shumë njerëz kishin lëndime të rënda. Papua Guinea e Re, e administruar më parë nga Australia, lufton me dhunën endemike dhe varfërinë, pavarësisht posedimit të një pasurie të madhe të burimeve minerale.
 
Ajo është renditur e 139 nga 168 vende në indeksin e “Transparence International” për korrupsion.
 
Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në vitin 2001, për të cilin nuk është raportuar hollësisht dhe shumë gjëra kanë mbetur mister. 
 
LEUNORA KALIQI