Izet Zeqiri: Institucionet nuk hartojnë plane strategjike

08.06.2016 15:22

Institucioneve shtetërore të Maqedonisë ju mungon plani strategjik në punën dhe planifikimet e tyre projektuese...

Kjo ndodh për shkak të mungesës së vullnetit politik, mungesës së resurseve njerëzore në sektorin publik, mungesës së transparencës qeveritare për shpenzimet buxhetore, si dhe të sistemit të kontrollit.

Kështu vlerësoi anëtari i ASHAM-it, Izet Zeqiri, gjatë prezantimit të tij mbi planin strategjik të institucioneve në vend. 

“Institucionet në RM në nivel qendror dhe në nivel lokal duhet të implementojnë teknikën e planifikimit strategjik, pasi që shumë institucione, edhe pse kanë obligim, nuk kanë plane strategjike,   duke filluar nga Qeveria, ku ka prioritete strategjike dhe nuk ka plan strategjik afatmesëm prej tre viteve. Nga analizat e ministrive  vetëm shtatë ministri kanë plane strategjike, ndërsa ministritë tjera kanë plane operative, plane të sektorëve dhe plane të njësive, por nuk kanë plan strategjik.”- deklaroi anëtari  i ASHAM-it, Izet Zeqiri. 

Nevoja për plane strategjike në institucionet e vendit  nënvizohet edhe në raportet e institucioneve monetare ndërkombëtare si dhe në raportet periodike të KE-së për Maqedoninë, thekson akademiku, Abdylmenaf Bexheti.

“Kapaciteti institucional i institucioneve tona është jashtëzakonisht i dobët. Këtë na i thotë tash e disa vite me radhë edhe FMN edhe Banka Botërore, por edhe Komisioni Evropian në raportet e tij të radhës. Në rast se do të ketë kapacitet absorbues të këtij konstatimi,  këtij rekomandimi, sigurisht se do të fillojë një proces i përmirësimit në këtë drejtim.”- tha anëtari i AShAM-it, Abdylmenaf Bexheti.

Plani strategjik është shumë i rëndësishëm për vendet aspirante në BE, ndërkaq Maqedonia, për shkak të kësaj dobësie, nuk arrin të shfrytëzojë mjaftueshëm edhe fondet evropiane, theksuan akademikët në fjalë. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)