Futboll
Coppa America: Kualifikohet Kolumbia, SHBA deklason Costa Rikën
08.06.2016 16:22
Kolumbia fluturon me dyshen Carlos Bacca-James Rodriguez...

Los Cafeteros fituan edhe ndeshjen e dytë në grupin A pasi mposhtën me shifrat 2-1, Paraguain duke u bërë kështu skuadra e parë që siguron kualifikimin për në fazën cerekfinale të Copa America Centenario.
Kolumbia zhvilloi një ndeshje si ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke shënuar dy herë që në pjesën e parë për të administruar më pas rezultatin. Në të 12-tën sulmuesi i Milanit Carlos Bacca shfrytëzoi një harkim nga këndi të James Rodriguez duke gjetur me kokë goditjen fituese për avantazhin e Kolumbisë.
Nuk vonoi shumë dhe të besuarit e Pekerman dyfishuan shifrat me yllin e tyre James Rodriguez, i cili shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë.
Paraguai u rikthye në ndeshje me finalizimin e Victor Ayalas në të 71-tën, por dalja me të kuq e Oscar Romeros në minutën e 80-të, vulosi edhe fatin e këtij takimi, me Kolumbinë që në superioritet numerik ruajti avantazhin e një goli për tu ngjitur në kuotën e 6 pikëve dhe për të blinduar edhe vendin e parë në grupin A.
Hodhën një hap të rëndësishëm drejt avancimit në fazën tjetër të Kupës së Amerikës edhe Shtetet e Bashkuara që në Chicago shkatërruan me rezultatin e thellë 4-0, Costa Ricën.
Amerikanët e Jurgen Klinsmann gjetën forcën e reagimit pas asaj humbjeje ndaj Kolumbisë, dhe bënë dicka të tillë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Clint Dempsey nga pika e bardhë e penalltisë hapi serinë e golave pas vetëm 9 minutash, ndërkohë që Jarmein Jones dhe Bobby Wood vulosën fitoren e Shteteve të Bashkuara që në pjesën e parë.
Në fund kishte vend edhe për golin e Zusit. Falë këtij suksesi Amerika u ngjit në vendin e dytë të grupit A në kuotën e 3 pikëve.
