Futboll
Lajme të mira për Shqipërinë, kthehen Mavraj, Abrashi e Berisha
08.06.2016 16:26
Stafi i përfaqësueses shqiptare të futbollit është qetësuar pas stërvitjes së parë të sotme të kuqezinjve në Francë...

Të tre lojtarët të cilët kishin shfaqur probleme fizike gjatë të martës, sot janë kthyer plotësisht në dispozicion të trajnerit De Biazi dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Zvicrën.
Gjatë të martës, Mërgim Mavraj, Amir Abrashi dhe Etrit Berisha kishin shfaqur shqetësime të ndryshme, duke ndërprerë stërvitjen. Por stafi mjekësor i ka kushtuar kujdes të veçantë secilit prej këtyre futbollistëve, të cilët parashikohet të jenë pjesë e formacionit titullar të shtunën ndaj Zvicrës.
Mavraj ka kaluar plotësisht lodhjen muskulore të së martës falë terapive intensive të masazhit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Abrashin i cili ka konfirmuar se nuk ndjen më dhimbjet në shpatull.
Ndërkaq, Berisha i është kthyer stërvitjes me dy portierët e tjerë në seancën e parë të ditës së sotme, pasi nuk ndjente më dhimbjet në dorë që alarmuan jo pak stafin kuqezi. Ndërkohë, nderin që të parët të flasin para mediave nga baza Perros Guirec e kishin mesfushori Odise Roshi si dhe shumë i përfoluri kohëve të fundit, Frederik Veseli.
“Ndjehem mjaft mirë dhe në formë, po punojmë fort dhe me entuziasëm dhe kjo na krijon një siguri. Kemi ardhur këtu, për të dhënë më të mirën tonë dhe kam besim që do tja dalim”-është shprehur Roshi pa e fshehur entuziasmin. Më pas futbollisti në lidhje me aktivizimin e tij në kombëtare u shpreh: “Po është e vërtetë, që kam shumë minuta aktivizim nga ana e trajnerit De Biasi dhe më vjen mirë për këtë. Jam gati”-tha ai.
Ndërkohë i qetë dhe i saktë ka qenë Frederik Veseli. Mes të tjerave, futbollisti u përgjigj:“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe po përpiqem që me punë të tregoj formën time dhe ti shërbej sa më shumë skuadrës. Unë erdha me vonesë dhe të them të drejtën e kam pritur me ankth vendimin e trajnerit. Tani vazhdojmë punën duke parë përpara. Çfarë shkruajnë mediat nuk më interesojnë. Është koha e punës”-tha ai.
Të dy futbollistët u shprehën se kjo periudhë është një eksperiencë mjaft e rëndësishme në karrierën e tyre.
