Maqedoni
Dita e dytë e testimit ekstern, filloristët ankohen për gabime në teste
08.06.2016 16:44
Testimi ekstern i nxënësve të shkollave fillore edhe gjatë ditës së sotme ka kaluar nën hijen e gabimeve gjuhësore dhe përmbajtësore...

Shumë pyetje kanë qenë të pakuptueshme, disa nuk kanë pasur lidhshmëri me temat e trajtuara, por ka pasur edhe raste kur pyetjet nuk janë përkthyer fare.
Ndryshe nga filloristët, sot nxënësit e shkollave të mesme nuk u ankuan për gabime në teste.
“Po, ka pasur gabime, njëra prej pyetjeve ka pasur dy përgjigje dhe nuk kam ditur cilën ta rrethoj.”- u shpreh një nxënës.
“Unë kam hyrë në testim në gjuhën angleze dhe kam vërejtur se një pyetje ka qenë e formuluar në anglisht, ndërsa përgjigja në gjuhën maqedonase.”- tha një nxënëse.
“Unë jam testuar në gjuhën shqipe dhe në teste kam hasur gabime, ka pasur gabime në lëndën e informatikës.”- theksoi një nxënës.
“Testimi në gj. angleze ishte shumë i mirë dhe shumë i lehtë. Të gjitha pyetjet i përfshinin mësimet që i kemi pasur.”- u shpreh një nxënëse.
Faruk Zeqiri, drejtor i Shkollës së Mesme “Zef Lush Marku”, theksoi se pas publikimit të rezultateve ankesa do të parashtrohen deri tek Qendra Shtetërore e Provimeve.
“Deri më tani nuk kemi ankesa nga ana e nxënësve, mirëpo kjo nuk do të thotë që nuk do të kemi ankesa nga ana e nxënësve, se pas publikimit të rezultateve të testimit ekstern çdo nxënës ka të drejtë ankese nëse nuk është i kënaqur me rezultatet e arritur.”- deklaroi drejtori i ShM “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
Profesori i historisë, Zaim Zimeri, theksoi se ka gabime në terminologji për lëndën e historisë, të cilat i venë nxënësit në dilemë për më tepër përgjigje.
“Gabime jo aq të mëdha, por ndryshime në terme, unë po flas për termet historike, nuk janë në nivel të duhur. Por, për ato terme duhet njeri të jetë më i specializuar, e mos të flasim më për terme tjera. P.sh. kur është krijuar mbretëria serbe-kroate-sllovene, 1918 çfarë date është, çfarë llogaritet? Ka ndryshim të termeve dhe nxënësit hutohen, por ne i kemi ushtruar aq sa kemi mundur.”- tha profesori i historisë në ShM “Zef Lush Marku”, Zaim Zimeri.
Përparësi gjatë dhënies së provimit edhe gjatë marrjes së rezultateve do të kenë nxënësit e klasave të 9-ta, për shkak të regjistrimeve nëpër shkollat e mesme.
REJHANE BUSHI-METAJ
