Maqedoni

Bundestagu diskuton situatën në Maqedoni, “Përzhina” dhe zgjidhja e emrit janë alternativa

08.06.2016 17:04

Bundestagu gjerman përshëndet tërheqjen e plotë të vendimit për abolim, si parakusht për rikthimin në jetë të Marrëveshjes së Përzhinës, por gjendja në vend edhe më tej vlerësohet si shqetësuese...

Situata në Maqedoni u diskutua në sesionet e Komisionit për Politikë të Jashtme, ku sekretari shtetëror në Ministrinë e Jashtme gjermane, Mihael Rot, ka theksuar se zhvillimet aktuale në vend janë shqetësuese.
 
Ndër hapat e tjerë të rëndësishëm që duhet të ndërmarrë vendi është nënvizuar formimi i qeverisë teknike, që do t’i organizonte zgjedhjet, ndarja e partisë nga shteti, reformat në media, si dhe gjetja e një zgjidhje për çështjen e emrit.
 
Edhe pse debati u zhvillua prapa dyerve të mbyllura, mësohet se deputetët kanë nënvizuar rëndësinë e përmbushjes së shpejtë dhe në përpikëri të Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformave urgjente, përfshi caktimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.
 
Torsten Fraj, anëtar i Komisionit, thotë se është shumë me rëndësi që me urgjencë të zbatohen edhe parakushtet e tjera nga Marrëveshja e Përzhinës, siç është pastrimi i Regjistrit të zgjedhësve, ndarja e partisë në pushtet nga qeveria dhe qasje në media për të gjithë pjesëmarrësit në jetën politike.
 
“Në Maqedoni duhet të ketë datë të re për zgjedhje, dhe deri atëherë të formohet qeveri teknike, e cila do të ndihmojë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, korrekte dhe demokratike, nga e cila do të dalë qeveria e re e zgjedhur në formë demokratike.”- ka thënë Fraj.    
 
Debati i fundit për Maqedoninë në Bundestag ndodhi në mars të vitit të kaluar, kur Komisioni debatoi rreth informatave të përgatitura nga i dërguari special i atëhershëm për Maqedoninë, Ernest Rajhel.
 
Sesionet e Komisionit për Politikë të Jashtme zhvillohen pa praninë e opinionit. 
 
Debati i sotëm për Maqedoninë në Bundestag koincidon me vizitën e të dërguarit special gjerman, Johanes Hajndëll, në Maqedoni dhe takimet me nënshkruesit e Marrëveshjes së Përzhinës, me të cilët bisedohet për mënyrat për tejkalimin e krizës politike në vend.
 
SHPËTIM NUREDINI