Maqedoni

Ujësjellësi i Tetovës, filluan punimet për stacionin e filtrimit

08.06.2016 17:21

Sot edhe zyrtarisht filluan punimet e ndërtimit të stacionit filtrues për ujë të pijshëm në Tetovë...

Mbi 2 milionë euro është investimi për ndërtimin e stacionit filtrues, mjete këto të siguruara nga Banka Evropiane për Zhvillim dhe një pjesë nga Komuna e Tetovës. Ky projekt pritet të përfundojë brenda këtij viti.
 
“Jemi në fillimin e punimeve të stacionit të filtrimit të ujit të pijshëm, që është faza e fundit e projektit ‘Ujësjellësi për Tetovën’. Mjetet për këtë projekt arrijnë shumën prej mbi 2 milionë euro, që janë siguruar nga Banka Evropiane për Investim, kredi e cila i është ndarë qeverisë, ndërsa ne jemi paraqitur dhe kemi konkurruar si komunë, dhe Komuna e Tetovës është bashkëfinancuese e projektit  me shumën prej 800 mijë euro për ta kompletuar këtë projekt.”- kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.  
 
“Investim ky që duhet thënë përfundimisht zgjidh problematikën për ujin për pije në Komunën e Tetovës dhe shpresojmë që në afat sa më të shkurtë të përfundojnë provimet dhe gjithë sistemi për ujë të vendohet nën funksionim dhe t’i jepet fund një sage problem të zgjatur në Komunën e Tetovës.”- tha zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, Faton Pollozhani. 
 
Projekti i ujësjellësit të Tetovës ka filluar të ndërtohet vite më parë, por ende nuk ka përfunduar. Pushteti qendror dhe ai lokal premtojnë se problemi do të zgjidhet këtë vit, pasi kanë ngelur vetëm edhe 300 metra deri në kyçje të ujësjellësit.
 
VISAR SADIKI