Maqedoni

Pendarovski nisi fushatën në Shkup

25.03.2014 18:37

Maqedonia duhet të krahasohet me botën, e jo me vetveten, është mesazhi kryesor që u dha nga kandidati për kryetar i LSDM-së...

Maqedonia duhet të krahasohet me botën, e jo me vetveten, është mesazhi kryesor që u dha nga kandidati për kryetar i LSDM-së, Stevo Pendarovski, në sallën Universale në Shkup, ku u mbajt konventa për promovimin e tij. 
 
Sipas Pendarovskit,  koncepti i tij është i qartë në realizimin e qëllimeve të përbashkëta. Ai paralajmëroi dhjetë mënyra të veprimit, vizioni i tij për një Maqedoni moderne dhe evropiane, duke u bazuar në tre vlera themelore, siç janë: liria, drejtësia dhe barabarësia. 
 
Pese vitet e ardhshme unë nuk do të bëj kompromis me asnjë forcë politike, tha Pendarovski. Maqedonia nuk meriton të jetë e ngujuar në të kaluarën, ajo duhet të shkojë para. Duhet të gjejmë zgjidhje të problemeve vetëm me kohezion të brendshëm dhe bashkarish me fuqitë botërore. Politika e ndarjeve duhet të ndërpritet dhe asnjëherë të mos përsëritet. Ne nuk kemi qytetar maqedonas për t’i humbur. Agonia dhe golgota e shpërnguljes do të ndërpritet, sepse përmendoret nuk janë më të rëndësishme se qytetarët.  
 
Pendarovski u bëri thirrje qytetarëve, që bashkarish të luftojnë për një Maqedoni të lirë në Evropën e bashkuar. 
 
“Kontesti për emrin nuk është problemi ynë i vetëm, ai shërben vetëm që t’i mbulojë zbrazëtirat e tjera që u shfaqën anembanë vendit. Tetë vite me radhë, Qeveria nuk arrin të japë përgjigje për 3 sfida kryesore me të cilat përballemi në shekullin 21, e ato janë ekonomia, demokracia dhe  demografia. Edhe nëse zgjidhet kontesti me emrin, negociatat që do të zhvillohen me BE-në, nuk do munden të bëjnë ndarjen e partisë nga shteti, nuk do të munden të departizojnë administratën dhe nuk do të mund të eliminojnë presionin politik që u bëhet gjykatave. Në këtë rast, e vërteta është e hidhur, nëse nuk është e lirë dhe demokratike, Maqedoninë e presin ditë të vështira”, u shpreh kandidati për president i LSDM-së, Stevo Pendarovski.
 
Sipas Pendarovskit, Maqedonia ka pasur dhe do të ketë  tensione ndëretnike, por përçarje të tillë të brendshme nuk ka pasur asnjëherë në Maqedoninë e pavarur. 
Projekti i parë politik për ndryshimin e historisë maqedonase, ka bërë që qeveria aktuale t’ia japë të drejtën vetvetes që vetëm ajo të mendojë për të ardhmen e Maqedonisë, ndërsa të gjithë të tjerët t’i trajtojë si të paguar nga jashtë. 
 
Sipas Pendarovskit, marrëdhëniet ndëretnike janë çështje kyçe  në të cilat bazohet stabiliteti, andaj ai do të jetë i përkushtuar për krijimin e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët. (Flutura Latifi, TVM2)