Brazil, korrupsion me tenderët e Rio 2016, kërkohet arrestimi i “ajkës” së politikës
Autoritetet në Brazil bastisën zyrat qendrore të konsorciumit që ka marrë përsipër ndërtimin e komplekseve sportive për Lojërat Olimpike pas dyshimeve për krime përmes depozitimit të mbetjeve inerte...

Katër politikanët që kanë përfunduar në lupën e hetuesve janë presidenti i Senatit, Renan Calheiros; senatori, Romero Juca; ish-presidenti, Jose Sarney, dhe kryetari i pezulluar i Dhomës së Parlamentit, Eduardo Cunha.
Disa përgjime të publikuara në muajin maj tregonin se si Calheiros bisedonte me ish-ministrin e Transparencës, Fabiano Silveira, për të gjetur mënyrën se si të shmangej hetimi i prokurorëve në rastin korruptiv “Petrobras”.
Përgjimet çuan në dorëheqjen e Silveiras. Ndërsa Cunha, që u pezullua në maj, u akuzua për përpjekje për të penguar hetimin.
Ai dyshohet se ka marrë ryshfete për kontratat e “Petrobras”, gjiganti brazilian i naftës, dhe ka fshehur miliona dollarë në Zvicër.
Më pas, një përgjim tjetër detyroi Romero Jucan të pranonte akuzat se po punonte për të penguar hetimin mbi “Petrobras”, ku rezultojnë të përfshirë ish-presidentët, Lula dhe Dilma Rousseff, dhe po ashtu ish-presidenti Sarney.
Tani fjala i takon Gjykatës së Lartë, e cila duhet të aprovojë çdo aksion gjyqësor ndaj anëtarëve të Kongresit dhe ende nuk dihet se kur ky vendim do të merret. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
