Erdogan kërcënon Gjermaninë: Tërhiqni rezolutën për Armeninë, ose hakmerremi
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdgoan, ka kërcënuar se Turqia do të hakmerret ndaj Gjermanisë...

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdgoan, ka kërcënuar se Turqia do të hakmerret ndaj Gjermanisë në rast se kjo e fundit nuk do të tërheqë rezolutën e miratuar në Dhomën e Ulët të Bundestagut, e cila njohu si gjenocid vrasjet e 1.5 milionë besimtarëve të krishterë armenë në vitin 1915 nga Perandoria Osmane.
Kreu i Shtetit nuk tha se në çfarë mënyre do të vijë kundërpërgjigjja e Turqisë, por theksoi se Gjermania duhet të tërhiqet nga veprime të cilat nuk i shërbejnë zhvillimit të marrëdhënieve mes palëve.
“Gjermania duhet të tërhiqet nga kursi i saj i gabuar kundrejt Turqisë. Nëse nuk do të ketë një reagim mbi këtë çështje, ne sigurisht që të do rikonsiderojmë pozicionin tonë dhe mund t’iu them që do të ndryshojmë politikat tona.”- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdgoan.
Ende nuk dihet se cila mund të jetë kundërpërgjigjja e Ankarasë zyrtare, por për t’u theksuar është fakti se palët janë mjaft të lidhura mes tyre, e sidomos në sektorin ekonomik.
Turqia është vendi në të cilën Gjermania eksporton më së shumti, teksa gjatë vitit të shkuar eksportet prekën shifrat e 13.4 miliardë dollarëve. Gjithashtu, në Gjermani jetojnë më shumë se tre milionë persona me origjinë turke. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
