Ministri Lutfiu për testimin ekstern: Është shembull për rajonin, nuk do të ndërpritet

09.06.2016 13:52

Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, thotë se edhe përkundër spekulimeve, testimi ekstern nuk do të ndërpritet...

Sipas tij, testimi ekstern është shembull për rajonin. Problemet teknike janë tejkaluar dhe testimi rrjedh sipas të gjitha parashikimeve, thotë Lutfiu.

Ai pranon se po bëhet një analizë marrë parasysh kërkesat e Unionit të nxënësve dhe vetëm pas kësaj analize MASh do të shqyrtojë hapat e mëtejmë në këtë drejtim.

“Nëse bëni një krahasim nga viti i kaluar deri më sot, do të shihni  shumë dobësi janë kaluar. Testimi ekstern është një shembull për rajonin. Ka pasur disa probleme teknike të cilat janë tejkaluar dhe tani gjithçka është e nivelizuar.”- deklaroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.

Sa i përket fillimit të punimeve për Universitetin e ri “Nënë Tereza” në Shkup, ministri  Lutfiu shpreson që javën e  ardhshme të arrihet pajtueshmëri për lokacionin.

“Sa i përket lokacionit të ‘Nënë Terezës’, Qeveria është e obliguar të gjejë një lokacion për t’i ikë barrës së qirasë. Besoj që javën që vjen do biem ujdi për një lokacion të caktuar.” – tha Lutfiu.

Ministri i Arsimit ka folur sot edhe për emrat e shkollave që tashmë janë ndryshuar në tabelë, por jo edhe në dëftesë. Ai thotë se gjërat do të marrin përfundimin e duhur, sepse për ndryshimin e emrave të shkollave është marrë vendim duke respektuar vullnetin e nxënësve, profesorëve  dhe komunitetit, dhe ky vullnet patjetër duhet të respektohet. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)