Anketa e IRI-t: Kryesojnë partitë qeverisëse

09.06.2016 16:26

Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) ka publikuar anketën mbi besueshmërinë e partive politike në Maqedoni...

Sondazhi i publikuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI) tregon se brenda tre muajve rejtingu i partisë VMRO-DPMNE ka shënuar rënie për 4%, respektivisht nga 31% sa ishte në janar, tani ka rënë në 27%, dhe dallimi me LSDM-në ka rënë në 9 për qind nga 15 sa ka qenë në fillim të vitit. Rejtingu i partisë shqiptare BDI është 6 për qind dhe ka ngelur i pandryshuar nga muaji janar.

Në pyetjen: “Për cilën parti do të votonit nëse zgjedhjet do të mbahen nesër?”, qytetarët janë përgjigjur:

-VMRO-DPMNE: 27%

 -LSDM: 18%

-BDI: 6%

-BESA: 4%

-PDSH: 3%

-RDK: 1%

-Nuk e di: 23%

- Të tjera: 7%

 -Asnjë: 9%

Hulumtimi, ndërkohë, tregon se në Maqedoni është rritur jostabiliteti politik. Më shumë se gjysma e qytetarëve, apo 58 për qind e tyre, janë të bindur se Maqedonia shkon në drejtim të gabuar.

Vetëm 5% e qytetarëve besojnë se vendi është stabil. 93 për qind e të anketuarve kanë thënë se situata e brendshme politike në Maqedoni është e tensionuar dhe e paqartë.

Më pak se gjysma e të anketuarve apo, 48 për qind, besojnë në gatishmërinë e Maqedonisë për zgjedhje të lira dhe të drejta. Sondazhi u zhvillua prej 19-25 prill të këtij viti, para shtyrjes së zgjedhjeve të planifikuara për 5 qershor. (Rexhep Qamili, TVM2)