Rama e quan PD-në “tufë”, deputetët e opozitës i bllokojnë foltoren

09.06.2016 16:40

Tensionet dhe ofendimet e kanë shoqëruar seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë....

“Ka mjaftuar fjalia e thënë nga kryeministri, Edi Rama, se Partia Demokratike është kthyer në një “tufë”. Për të shkaktuar acarim te opozita, Flamur Noka, i përfolur si deputet i inkriminuar në radhët e demokratëve, është vërsulur drejt foltores, duke shkëmbyer ofendime me kryeministrin Rama.

“Nxirre përjashta! Nuk ka seancë!”- u shpreh Flamur Noka.

“Qetësohu! Nuk është pazar këtu!”- theksoi Valentina Leskaj.

“Flamuri u mërzit për fjalën ‘tufë’ dhe sot thotë se është vetëm pjesëtar tufe.”- tha Rama.

Seanca është ndërprerë disa herë për shkak se po dilte jashtë kontrollit. Rama e ka ruajtur qetësinë, ndërsa është ndalur te reforma në drejtësi dhe këmbëngulja e tij për negociata me demokratët.

“Pajisja e famshme nuk është asgjë tjetër vetëm një pajisje për trajnimin e forcave policore dhe që ka qenë nga sekonda e parë deri në sekondën e fundit në dorën e partnerëve. Nëse ju mendoni se Italia mike është përshirë në një platformë të përbashkët përgjimi që të shohë çfarë i thotë Saliu Lulit, çfarë i thotë Luli Saliut dhe si i ankohet Jozefina Saliut dhe si qahen, se pse ka ngelur partia në dorë të Lulit, atëherë i jepni shumë rëndësi vetes. Italia nuk ka nevojë t’ju përgjojë. Është kaq evidente sa e do Jozefina Lulin dhe sa të gatshëm do të ishit për t’ia marrë shpirtin njëri-tjetrit, por kështu keni ngelë një ‘tufë’ e vogël, s’keni ça të bëni. ‘Tufë’ e vogël e gatshme për të ngrënë njëri-tjetrin.”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Por, është kundërpërgjigjur demokrati, Edi Paloka, i cili tha se Rama po vepron sikur po shpëton Shqipërinë.

“Rama kërkon një drejtësi që kërkon të mbrojë kriminelë, vrasës e përdhunues, sepse ai mbron deputetë kriminelë, tutorë prostitutash e trafikantë droge, si Rroshin, Bushin dhe Shullazin. Drejtësia që i duhet Ramës është ajo që të rrëzojë ata që denoncojnë krimet e pushtetarëve.”- u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka.

Në tensione ka ndikuar çështja e përgjimeve si dhe pezullimi nga detyra i kryepolicit, Haki Çako. Burime jozyrtare flasin për arrestime të bujshme për shkak të përgjimeve. (Luljeta Ndoka, TVM2)