Kumanovë, bashkëpunim ndëretnik në suaza të MO-së

09.06.2016 16:51

Në ambientet e Këshillit komunal në Kumanovë është promovuar projekti i Bashkimit Evropian “Përforcimi i bashkëpunimit dhe dialogut midis bashkësive etnike përmes Marrëveshjes kornizë të Ohrit”...

Projekti në fjalë ka për qëllim përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në komunat e rajonit planor verilindor: Kumanovë, Likovë, Nagoriç i Vjetër, Kriva Pallankë dhe Kratovë.

Kjo mësohet të arrihet përmes përforcimit të pjesëmarrjes së gruas lidere dhe të rinjve në proceset ndëretnike dhe proceset e pajtimit postkonfliktuoz, si dhe promovimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit me përkrahjen e institucioneve publike.

“Mirëkuptimi dhe bashkëpunimi ndëretnik është temë në të cilën do të punojnë pesë komunat. E dini se këto tema gjithmonë janë të rëndësishme në vend. Ka pasur konflikte në të kaluarën dhe  ndonëse tani gjendja është e mirë. Gjithsesi se duhet punuar në këtë temë edhe më tej si preventiv, me qëllim që të pengohen problemet e këtilla në të ardhmen.”- deklaroi udhëheqësi i Dhomës për Bashkëpunim të Delegacionit të Bashkimit Evropian, Martin Klauk.

“Me keqardhje mund të thuhet se MO nuk po respektohet nga të gjithë njësoj edhe pse kjo marrëveshje është një pasuri e madhe për të dy komunitetet më të mëdha në Maqedoni, për maqedonasit dhe shqiptarët, duke mos i përjashtuar edhe bashkësitë e tjera në Maqedoni, e në veçanti në regjionin tonë.”- tha kryetari i Komunës së Likovës, Sadulla Duraku.

Projekti në fjalë financohet nga Bashkimi Evropian, kurse është i bashkëfinancuar edhe nga Agjencia suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar  “Sida” me buxhet prej 323.460 eurosh. (Nexhat Aqifi, TVM2)