Rekomandimet e Hajndëllit, analistët të ndarë për përmbushjen e detyrave

09.06.2016 17:02

Analistët politik të vendit janë të ndarë me qëndrime sa i përket përmbushjes së detyrave që dje i dha i dërguari special, Johanes Hajndëll, pas takimeve të realizuara me presidentin, kryeministrin dhe liderët politik të vendit...

Përderisa analisti politik, Ismet Ramadani, konsideron se liderët kanë kuptuar rëndësinë e porosive, analisti, Petar Arsovski, shprehet pesimist se do të përmbushen obligimet e dhëna.

“Këto porosi do të merren seriozisht. Liderët e partive politike, kuptohet në konsultim me shoqërinë civile dhe me mbështetje të faktorit ndërkombëtar, do të bëjnë edhe një përpjekje që Marrëveshjen e Përzhinës ta vënë në binarë të ecjes drejt një suksesi për të përgatitur zgjedhje kredibile.”- deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani. 

“Porositë që vijnë nga ndërkombëtarët kanë të bëjnë me rritjen e vullnetit politik, pasi që koha është tejet e shkurtër pa marrë parasysh se zgjedhjet do të jenë në vjeshtë apo në pranverë. Unë nuk jam shumë optimist se liderët politik të vendit do të mund të ulen dhe të dakordohen për përmbushjen e obligimeve, para së gjithash në përmbushjen e rekomandimeve të PRIBE-së.”- tha analisti politik, Petar Arsovski.

Por, analistët, Ramadani dhe Arsovski, konsiderojnë se vetëm një qeveri e zgjeruar do të krijonte atmosferë për zgjedhje kredibile, pasi që pjesëmarrja vetëm e disa ministrave të LSDM-së në qeverinë teknike nuk dha shumë suksese.

“Do të ishte më mirë që influenca dhe inkluziviteti të jenë pak më të zgjeruar edhe nga partitë tjera, nga shoqëria civile, që përbrenda të kemi një korrektim të vetëfunksionimit të asaj qeverie për të përgatitur zgjedhjet.”- theksoi analisti politik, Ismet Ramadani. 

“Nëse shtyhen zgjedhjet për në pranverë, atëherë do të duhet të mendohet për një qeveri të zgjeruar, por jo me zëvendësministra dhe ministra shtesë, por me ndarje të barabartë të dikastereve.”- u shpreh analisti politik, Petar Arsovski.

I dërguari special për Maqedoninë, Johanes Hajndëll, gjatë qëndrimit dyditor në Shkup porositi liderët politik të vendit që të ringjallin Marrëveshjen e Përzhinës. Hajndëll angazhoi liderët politik që të dakordohen për datën e zgjedhjeve dhe të krijojnë kushte për një proces të besueshëm zgjedhor, të mos pengohet Prokuroria Speciale, si dhe të përmbushen rekomandimet prioritare të PRIBE-së. (Meral Ismaili, TVM2)