Presidenti Nishani pret delegacionin e partisë politike “Uniteti” me seli në Shkup

09.06.2016 18:29

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në takim një delegacion të Partisë Politike “Uniteti” me seli në Shkup, të kryesuar nga kryetari i kësaj partie, Gëzim Ostreni...

Në takim u diskutua rreth situatës politike në Maqedoni dhe kontributin e shqiptarëve në stabilitetin dhe zhvillimin e shtetit të Maqedonisë.

Presidenti Nishani shprehu qëndrimin e tij lidhur me zbatimin e Kushtetutës së Maqedonisë dhe në frymën e saj zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, si një fondament i respektimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimit të klimës së besimit të ndërsjellë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në të mirë të paqes dhe stabilitetit në Maqedoni. Kreu i Shtetit shprehu qëndrimin e tij për një frymë sa më të mirë bashkëpunimi jo vetëm mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, por edhe me të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.

Ostreni e informoi presidentin Nishani mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni dhe vështrimin në perspektivë të Partisë Politike “Uniteti” për daljen nga kjo situatë dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të Maqedonisë për paqen dhe sigurinë e saj.