Ra zilja e fundit, nxënësit bëhen gati për pushimin veror

10.06.2016 12:23

“Lamtumirë shkollë!”- thanë nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në vend, pasi që me përfundimin e vitit akademik 2015-2016 prej sot ka nisur pushimi veror, që do të zgjasë deri më 1 shtator...

Sot ra zilja e fundit për 187 mijë nxënës në arsimin fillor dhe 81 mijë në arsimin e mesëm.

Vera është përpara dhe kjo padyshim ka gëzuar nxënësit të cilët tashmë për gati 3 muaj nuk do të preokupohen më për notat deri në shtator, kur gjithçka nis nga e para. Ata tashmë i kanë bërë planet se ku do t’i kalojnë pushimet.

“Gjatë këtij viti kam kaluar shumë mirë në këtë shkollë. Kam plane që të kaloj me sukses.”- u shpreh një nxënës.

“Jam shumë i lumtur... Do të lexoj më shumë lektyra dhe do të shëtitem.”- theksoi një nxënës.

“Gjatë këtij viti kam kaluar shumë mirë dhe kam pasur sukses të shkëlqyeshëm.. Do të shkoj në Zvicër.”- tha një nxënëse.

Një planprogram vjetor përfundoi, por nuk ka përfunduar puna e mësuesve. Derisa nxënësit mendojnë vetëm për pushimin, mësuesit preokupohen edhe në këto muaj vere për vitin e ardhshëm shkollor.

“Ka qenë një vit shumë dinamik, në rregull, sipas kërkesave, sipas planprogramit, realizimet e planprogrameve janë bërë, realizimet e aktiviteteve të planifikuara nga ana e shkollës, d.m.th. vit si vit shkollor me të gjitha ato peripeci, me të gjitha ato probleme të pazgjidhura dhe të zgjidhura. Besoj se do të jenë të gjithë të kënaqur, por edhe unë për momentin, edhe pse suksesi asnjëherë nuk duhet të na kënaq dhe vitin tjetër duhet të përgatitemi bashkërisht me nxënësit dhe të premtojmë se do të kalojmë edhe më mirë.”- deklaroi drejtoresha e Shkollës Fillore “Imri Elezi”, Merita Koxhaxhiku.

Maturantët dhe nxënësit e klasave të teta tashmë po mendojnë për regjistrimin e ardhshëm. Drejtime ka plot, por ju apelojmë nxënësve të bëjnë kujdes në zgjedhjen e profesionit të jetës.

Ne kemi nevojë për mjekë të mirë po, aq sa edhe për automekanikë të mirë. Me rëndësi është që përzgjedhja e drejtimit të bëhet me kujdes dhe atje ku duan fëmijët. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)