Dita e tretë e testimit ekstern, vërehen gabime nga nxënësit

10.06.2016 13:42

Përfundoi edhe dita e tretë e testimit ekstern...

Nxënësit edhe sot u ankuan për gabime në pyetjet e testimit. Nxënësit që ne i intervistuam sot, u ankuan se në lëndën e shkencave natyrore kishte pyetje të njëjta, por të formuluara tre herë në mënyra të ndryshme. Gjithsesi, gabime sivjet kishte më pak se vitet e kaluara.

“Unë jam testuar në lëndën e historisë dhe shkencat natyrore. Kemi hasur në disa gabime në shkencat natyrore. Në tre pyetje ka qenë e formuluar e njëjta pyetje, por në mënyra të ndryshme.”- tha një nxënëse.

“Tani ka ardhur koha e testimeve eksterne dhe unë jam testuar në lëndën e matematikës dhe në shkencat natyrore. Në ato teste ka pasur disa gabime të vogla, por bashkë me ndihmën e arsimtarëve, me përkrahjen e tyre, kemi arritur që ta zgjidhim problemin.”- u shpreh një nxënës.

“Në testimin e parë jam testuar në biologji dhe kam vërejtur disa gabime.”- theksoi një nxënës.

Arsimtarët thonë se sivjet nuk janë vërejtur pengesa gjatë kyçjes së nxënësve në rrjetin kompjuterik, siç ka ndodhur më herët, por nxënësit, sipas tyre, janë ankuar se disa pyetje nuk kanë qenë shumë të qarta dhe u është dashur intervenim i mësuesve për të kuptuar se çfarë kërkohet prej tyre.

“Ankesa nga ana e nxënësve ka pasur lidhur me pyetjet të cilat kanë qenë diskutabile apo të pakuptueshme. Pyetja nuk është e parashtruar si duhet, vetëm kjo ka qenë, të  tjerat gjëra gjithçka në rregull. Disa pyetje, jo të gjitha d.m.th.,  prej të gjitha pyetjet një ose dy të tipit të tillë. Edhe me internetin është në rregull, se vitin e kaluar kemi pasur problem me rrjetin. Këtë vit rrjeti është më i mirë, sepse nxënësit nëse kanë pasur problem është dashur të kyçen përsëri  me emër e mbiemër.”- deklaroi arsimtari në Sh.F. “Imri Elezi”, Nehat Curi.

Sivjet në testim ekstern janë matur njohuritë e 178.648 nxënësve nga shkollat fillore dhe të mesme. Testimi ekstern filloi këtë të martë dhe përfundon të shtunën. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)