Fillon sonte “Euro 2016”, transmetimet live në TVM2
Duhen edhe pak orë nga fërshëllima e parë e “Euro 2016”...

Duhen edhe pak orë nga fërshëllima e parë e “Euro 2016” dhe projektorët janë fokusuar në eventin më të madh sportiv të vitit, Kampionatin Evropian të Futbollit, i cili sivjet do të ndiqet me shumë ankthe edhe nga shqiptarët, pasi skuadra Kuqezi hyri sivjet në histori me pjesëmarrjen e parë në këtë kampionat.
Me një hapje solemne, që ishte spektakël më vete, Kampionati Evropian fillon të drithërojë zemrat e sportdashësve në fërshëllimën e parë të bilbilit për ndeshjen hapëse të tij, atë mes Francës organizatore dhe Rumanisë në stadiumin “Stade de France-Denis”.
Francezët do të tentojnë që të shënojnë fitore që në ndeshjen e parë për të treguar se janë favoritë, pasi kampionati luhet në vendin e tyre, ndërsa Rumania do të luftojë edhe më fort për të treguar se jo rastësisht është pjesë e “Euro 2016”.
David Gueta është mysafir i ceremonisë hapëse të këtij Evropiani bashkë me 150 balerinë, padyshim edhe me publikun në stadium, që është pjesë e koreografisë madhështore.
Edhe Forcat Ajrore të Francës do të dhurojnë spektakël në qiellin mbi stadium. Natyrisht që nuk do të mungojë edhe kulla “Eifel”, simboli i Parisit dhe Francës, e cila do të ngrihet në mënyrë simbolike brenda impiantit. Pas ceremonisë, e cila parashikohet të zgjasë 45 minuta, fusha do t’i takojë lojtarëve të dy skuadrave të para. Por, ajo që ekziston më shumë në Francë sot është frika nga aktet terroriste.
Autoritet vendase i kanë marrë të gjitha masat dhe pritet të jenë në gatishmëri të plotë gjatë gjithë kohës për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Për Shqipërinë ankthi fillon nesër në orën 15, kur do të luhet edhe ndeshja e parë e përfaqësueses Kuq e Zi. Me transmetime të drejtpërdrejta në TVM2 do të ndjekim bashkë çdo hap të kombëtares sonë, por edhe ecurinë e të gjithë këtij kampionati. Ethet fillojnë sonte në orën 21, por paraprakisht TVM 2 do të bëjë emetimin e drejtpërdrejtë edhe të ceremonisë hapëse të Evropianit. (Amir Duraku, TVM2)
