Gjykata e liron nga paraburgimi Savevskin dhe Kunovskin
Gjykata Themelore Shkupi 1 ka liruar nga arresti shtëpiak dy protestuesit, Zdravko Savevskin dhe Vlladimir Kunovskin...

Ata akuzoheshin për pjesëmarrje dhe demolim të zyrës së presidentit Ivanov.
Në seancën e fundit gjyqësore, Gjykata vendosi që dy anëtarët e të “Majtës” të lirohen, por njëkohësisht t’u merren pasaportat e tyre si kusht se do të paraqiten rregullisht në seancat e tjera gjyqësore dhe në polici dhe se nuk do ta përsërisin të njëjtën vepër deri në mbarimin e këtij procesi.
Gjykata kërkoi nga Prokuroria të sigurojë dëshmi për qiramarrjen e zyrës së presidentit, pasi që pala mbrojtëse prezantoi certifikatën e pronësisë ku shihet se zyra e demoluar nuk është pronë publike, por është marrë me qira.
“Sipas certifikatës së pronësisë që kemi nxjerrë në mëngjes nga Agjencia për Kadastër, në asnjë vend nuk qëndron se pronari i zyrës së presidentit është Republika e Maqedonisë. Po parashtrohet pyetja: si Republika e Maqedonisë kërkon dëmshpërblim kur ajo nuk paraqitet si pronar e të njëjtës pronë.”- deklaroi avokati i mbrojtjes, Dushko Dukovski.
“Do të kisha dashur në emrin tim personal dhe në emër të kolegut tim t’a falënderoj udhëheqësinë e partisë në falimentim, VMRO-DPMNE-në, që na mundësoi një marketing të madh dhe na ndihmoi të arrijmë aty ku jemi sot. E falënderoj gjithashtu edhe Prokurorinë Publike që dha shembull shkollor se ka standarde të dyfishta në realizimin e së drejtësisë.”- tha Vladimir Kunovski.
Pala mbrojtëse gjithashtu kërkoi që të merret nga materialët dëshmuese urdhëresa e ekspertizës e bërë nga zyra e presidenti, pasi që ata vlerësojnë se është bërë nga njerëz jokompetent.
Seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 6 korrik. (Rexhep Qamili, TVM2)
