FSHF inaguron “Shtëpinë e tifozëve”
Federata Shqiptare e Futbollit ka inauguruar mbrëmjen e së mërkurës “Shtëpinë e tifozëve” në Perros Guirec...

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë të gjithë lojtarët e kombëtares, stafi si dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe zyrtarë të tjerë.
“Shtëpia e tifozëve” do të jetë një mundësi për shqiptarët që ndodhen pranë kombëtares, por edhe për banorët e qytezës, për të blerë produktet zyrtare të skuadrës kombëtare, fanella, tuta etj. apo edhe suvenire të ndryshme si varëse çelësash, USB, syze gazmore, shkumësa kuqezi, kapele, me logon e FSHF. Po ashtu, të ftuar ishin edhe personalitete të Perros Guirec, përfshirë edhe kryetarin e bashkisë. Një organizim i tillë po përgatitet edhe në Marsejë, ku Shqipëria do të luajë kundër Francës.
Ndërkohë, në pres konferencën e rradhës, para mediave u paraqitën Andi Lila dhe Amir Abrashi. Të dy, premtuan se do të japin 100% nga vetja që Shqipëria të paraqitet mirë në ndeshjen e së shtunës ndaj Zvicrës dhe gjatë gjithë kampionatit europian.
“Jam këtu për të dhënë më të mirën time dhe për të ndihmuar skuadrën. Europiani më ka ardhur në momentin e duhur dhe unë dëshiroj ta shijoj duke qëndruar sa më shumë në të”. Më pas futbollisti, që ka shumë vite që kontribon për skuadrën kombëtare, theksoi: “Dëshiroj që të bëjmë një Europian , në mënyrën se si luajtëm në eliminatore. Ne nuk kemi ardhur rastësisht këtu dhe këtë do ta tregojmë në ditët në vazhdim. Ndihemi mirë, dhe na duket vetja si shokë fëmijërie”-tha ndër të tjera Andi Lila.
Për Amir Abrashin, problemet fizike thuajse kanë kanë kaluar. “Ndjehem mirë dhe jam stërvitur me shumë dëshirë, gjatë kësaj periudhe. Dëmtimet janë drejt rikuperimit dhe po punoj fort që të kkap gjendjen time më të mirë”-theksoi që në fillim Amir Abrashi.
Pastaj futbollisti foli edhe për mënyrën se si skuadra po përgatitet për ndeshjet në grup.
“Trajneri ynë e njeh shumë mirë taktikën dhe po përgatitemi, që gjithçka të shkojë mirë deri në detaje. Ai i vlerëson shumë detajet dhe ne po punjmë fort, që të përballemi si duhet me kundërshatrët”-përfundoi Abrashi.
Ndërkohë, Kombëtarja Shqiptare qëndroi pushim gjatë paradites së sotme, pasi seanca u anulua nga trajneri Gianni De Biasi.
Vendimi i marrë pasditen e së mërkurës lidhet me faktin që skuadra të shlodhet, në prag të debutimit të së shtunës në Kampionatin Europian, në sfidën me Zvicrën.
Stafi teknik zgjodhi që lojtarët të pushojnë pas stërvitjes me ritme shumë të larta, nga grumbullimi në Austri, për të vazhduar me përgatitjet në Itali dhe tashmë në Francë. Pushimi është kërkuar edhe nga vetë lojtarët, për të rikuperuar forcat.
