Lidhja e Prizrenit, 138 vjetori i Kuvendit gjithëkombëtar
Kanë kaluar 138 vjet kur si sot, më 10 qershor të vitit 1878, në Prizren të Kosovës u thirr një kuvend me delegatë, përfaqësues nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës...

Kuvendi hyri në histori me emrin Lidhja e Prizrenit. Që pas Kuvendit të Lezhës në kohën e Skënderbeut, Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e përmasave administrative, politike dhe ushtarake.
Kuvendi zgjati pesë ditë dhe numri i delegatëve ishte 110. Dy ishin rrymat kryesore të debatit: atdhetarët, që mbronin idenë e bashkimit territorial, dhe fraksionet osmane, të cilat ushtronin presionin që edhe nëse Shqipëria do të funksiononte e pavarur, administrativisht, sërish të varej nga Porta e Lartë.
Një nga fjalimet që u mbahet mend ishte ai i Abdyl Frashërit, i cili, midis tjerash, tha: “Qëllimi i Kuvendit është që t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që t’i mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë”.
Dy aktet e para që ndërmori Lidhja e Prizrenit ishin: një peticion nisur Kongresit të Berlinit dhe një tjetër Perandorisë Osmane, në të cilat bëhej e qartë se Shqipëria nuk mund të jepte asnjë pëllëmbë tokë nga viset e saj. Peticioni u firmos nga dhjetëra delegatë pjesëmarrës.
Megjithëse lëvizja që krijoi Lidhja Shqiptare e Prizrenit u shtyp nga terrori policor i Perandorisë Osmane dhe nga konspiracioni ndërkombëtar, ajo i arriti qëllimet e programit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, sepse bëri të njohur autoktoninë e këtij populli të lashtë në arenën ndërkombëtare.
Prandaj, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka një vlerë të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. (Merita Çoçoli, TVM2)
