MPB dhe Komuna e Çairit konfirmojnë kërcënimin ndaj Izet Mexhitit
Dy persona janë thirrur në bisedë informative në Stacionin Policor të Kisella Vodës lidhur me rastin e denoncimit për rrezik të sigurisë së kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti...

Nga Ministria e Punëve të Brendshme konfirmojnë rastin, duke theksuar se: “Mëngjesin e sotëm janë arrestuar dy persona, 38 vjeçari V. B. dhe 27 vjeçari B. R.. Arrestimi ka ndodhur për shkak të dyshimeve për kryerje të veprës penale “cenim sigurie”.
Vepra ka ndodhur më 6 qershor 2016. Dy persona të tjerë janë në kërkim.”- thonë nga MPB.
Ende nuk dihen arsyet se pse grupi prej 20 personash ka kërcënuar kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhitin, por në reagimin e kësaj komune thuhet se Komuna e Çairit, si institucion i qytetarëve dhe në shërbim të qytetarëve, distancohet dhe denoncon çdo formë të sjelljes e cila tejkalon apo thyen normat e përgjithshme të mirësjelljes.
“Në çdo rast kur cenohet integriteti i institucionit dhe kur administrata dhe qytetarët kanë arsye të besojnë se janë të cenuar, Komuna, në mënyrë institucionale, do të kërkojë nga organet e rendit që ta rivendosin rendin dhe sigurinë në premisat e Komunës!”- thuhet në reagim.
“Komuna i siguron të gjithë qytetarët e saj si dhe opinionin e gjerë se nuk ka arsye për asnjë shqetësim, se administrata vijon me kryerjen e detyrave të saj të përditshme në shërbim të qytetarëve, dhe se prioritet i yni i vetëm vazhdojnë të jenë qytetarët dhe vetëm qytetarët.”- vijon reagimi, në të cilin njëherit kërkohet nga organet e rendit që, konform kompetencave të tyre, ta procedojnë më tutje ngjarjen e “shëmtuar” dhe të punojnë me përkushtim për të rivendosur mirebesimin e qytetarëve tek institucionet. (Gyltene Sinani, TVM2)
