Gjatë tentimit për arrestimin e një të kërkuari, katër policë të lënduar në Tetovë
Katër policë janë lënduar mbrëmë gjatë tentimit për t’a arrestuar një 40 vjeçar nga Tetova...

Në këtë zënkë janë involvuar edhe tre persona tjerë, njëri prej të cilëve i ati i personit që është dashur të arrestohet, i cili gjatë përleshjes me policinë ka përdorur edhe një shufër metalike, me të cilën dy policëve iu ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe dy të tjerëve lëndime të lehta. Personat e involvuar kanë arritur t’i ikin policisë, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar gjysmë ore pas mesnate, ndërsa janë ndërmarrë masa për kapjen edhe të tre personave të tjerë.
“Mbrëmë dhe sot merren masa intensive për gjetjen dhe arrestimin e tre personave tjerë që dyshohet të kenë qenë të involvuar në këtë sulm. Mbrëmë, gjysmë ore pas mesnate, në stacionin policor në Tetovë është arrestuar dhe në koordinim me prokurorin publik është mbajtur një 36 vjeçar që dyshohet se ka marrë pjesë në sulmin fizik mbi policët.”- deklaroi zëdhënësi i SPB-Tetovë, Marjan Josifoski.
Gjendja shëndetësore e njërit prej policëve, që është më rëndë i lënduar, vazhdon të jetë me rrezik për jetën dhe i njëjti ndodhet në klinikën e Shkupit, ndërsa polici tjetër, pasi është lëshuar nga klinika e Shkupit, gjendja e tij sot sërish i është përkeqësuar dhe është kthyer në spitalin e Tetovës, ku mbahet për observim, thotë mjeku kujdestar.
“Fjala është për njërin rast që e kanë sjellë nga Shkupi pasi e ka marrë familja në shtëpi, sepse ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por sot në ndërkohë ka filluar me ankesa për dhimbje koke dhe të vjella, dhimbje qafe dhe të muskujve. Sipas ankesave të pacientit vendosa që ta mbaj në observacion deri ditën e nesërme në mëngjes.”- tha mjeku kujdestar, Blerim Zeqiri.
Sipas të dhënave nga SPB e Tetovës, personat e involvuar në rrahje janë babë e birë të moshës 40 dhe 69 vjeçare, si dhe dy fqinjë të tyre, njëri prej të cilëve, personi me iniciale E. J., 30 vjeçar, që është arrestuar mbrëmë. (Visar Sadiki, TVM2)
