Angazhimi i komisarit Hajndëll po jep rezultate, pritet që partitë të rikthehen në tryezën e bisedimeve

10.06.2016 16:34

Partitë politike do t’u kthehen bisedimeve për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës javës që vjen....

Edhe pse partitë politike, zyrtarisht, nuk e kanë konfirmuar një takim të tillë, spekulohet se emisari gjerman, Johanes Hajndëll, ia ka dalë të bind palët se Marrëveshja e Përzhinës nuk ka alternativë dhe rikthimi i shpejtë i bisedimeve është i domosdoshëm.

Vazhdimi i dialogut ndërpartiak u nxit nga emisari gjerman, Johanes Hajndëll, gjatë vizitës së tij të fundit në Shkup dhe takimeve të ndara me liderët politik që realizoi gjatë kësaj jave.

Nuk është e qartë nëse takimi i radhës do të jetë në nivel liderësh apo fillimisht do të mblidhet grupi punues për të përcaktuar kornizën e bisedimeve. Ajo që dihet është qëndrimi i ndërmjetësit gjerman, por edhe i MPJ-së të Gjermanisë se partitë politike fillimisht duhet të angazhohen për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike dhe më pas të caktojnë datën e zgjedhjeve.

Kjo për shkak të përvojës me dështimin të datës për zgjedhje, dy herë radhazi, për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes brenda afateve. Njëkohësisht, partitë duhet të angazhohen seriozisht që PPS të mund të kryej funksionin e saj ligjor pa pengesa. Hajndëll kërkoi nga partitë konsensusin e domosdoshëm për zbatimin e reformave prioritare të parapara me Marrëveshjen e Përzhinës, Raportin e KE-së dhe atë të PRIBE-së.  

Edhe më tej mbetet e hapur dilema rreth formatit të qeverisë, e cila do të duhet të zbatojë këto reforma dhe të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për VMRO-DPMNE është e pranueshme që LSDM sërish të bëhet pjesë e Qeverisë, mirëpo opozita maqedonase kërkon qeveri teknike.

Propozimi i opozitës duket i papranueshëm për BDI-në. Ekziston frika se pa vullnet të mirë politik të të gjitha palëve, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, asnjë format qeverie nuk do të mund të zbatojë reformat, të cilat duhet të përligjen në Kuvend.

Maqedonia, e cila humbi një vit për shkak të opstrukcioneve që iu bënë Marrëveshjes, rrezikon të përballet me masat e presionit të paralajmëruara më parë nga BE. (Shpëtim Nuredini, TVM2)