Gruevski para Gjykatës: Nuk jam fajtor për rastin “TNT”

10.06.2016 17:15

Nuk kam asnjë faj, por do të ketë tentime që të më malltretojnë që sërish të vij në Gjykatë...

Kështu deklaroi ish kryeministri, Nikolla Gruevski, pas marrjes në pyetje në Gjykatën Penale si i dyshuar në rastin e PSP-së “TNT” për rrënimin e kompleksit “Kosmos”.

Sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, nga të gjitha ndodhitë e deritanishme del në pah se Prokuroria Speciale Publike është nën kontroll të liderit opozitar, Zoran Zaev, dhe vetëm po zbaton porositë që i jep ai.

“Shihet se PSP bën hapa të porositura nga personi i cili disa herë ka deklaruar se nuk i njeh gjykatat e Maqedonisë. Me siguri është dëshira e tij që të largohem nga shteti dhe mos të kthehem më, por kjo as që është e vërtetë e as që planifikoj ta bëj. Jetojmë në një periudhë në të cilën personi i cili deklaroi disa herë se nuk i njeh gjykatat e vendit është i vetëdijshëm për rejtingun që ka dhe për atë që s’ka mbështetje nga qytetarët, është i vetëdijshëm se afrohen zgjedhjet dhe nuk do të mund t’i prolongojë edhe gjatë kohë, prandaj  përmes kontrollit që ka tek personat e PSP-së mundohet që të relativizojë punët. Tenton që përmes ftesave absurde nga Gjykata, mua dhe bashkëpunëtorët e mi të na paraqesë të ngjashëm ose të njëjtë sikur ai.”- deklaroi  ish kryeministri, Nikolla Gruevski.

Përveç ish-kryeministrit Gruevski, në Gjykatën Themelore ka ardhur edhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, i dyshuar për veprën e njëjtë “TNT”.

Prokurorja Janeva për Nikolla Gruevski, Toni Trajkovksin dhe Mile Janakievskin nuk kërkon paraburgim, por masa të kujdesit. (Sanije Duraku, TVM2)