Shqipëri, muaji qershor është afati i fundit për miratimin e reformës në drejtësi
Mazhoranca qeverisëse vazhdon t’i shtrijë dorën e konsensusit opozitës shqiptare...

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, njëkohësisht pjesë e koalicionit qeveritar, i ka bërë ftesë publike liderit demokrat, Lulzim Basha, për t’u takuar, me qëllim gjendjen e një konsensusi për reformën në drejtësi.
Kjo ftesë vjen pas disa përplasjesh të ndodhura më herët mes PD-së dhe LSI-së. Kjo përplasje ndodhi për shkak të futjes së beftë të reformës në drejtësi për miratim në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë.
Muaji qershor është afati që i kanë vendosur politikës shqiptare Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për miratimin e reformës që pritet të pastrojë drejtësinë nga elementet e korruptuar.
Madje, ambasadorët përkatës, Lu e Vlahutin, janë takuar me kreun e Kuvendit, Ilir Meta, për këtë çështje. Por, kërkesat e diplomatëve të huaj nuk po gjejnë reagime pozitive nga ana e opozitës shqiptare. (Luljeta Ndoka, TVM2)
