Maqedoni
Mbajtja e takimit të liderëve, Shilegov: Janë përmbushur kushtet bazë
11.06.2016 17:04
Katër liderët politik, javën që vjen pritet që sërish të ulen në tryezën e bisedimeve në përpjekje për të nxjerë vendin nga kriza...

Katër liderët politik, javën që vjen pritet që sërish të ulen në tryezën e bisedimeve në përpjekje për të nxjerë vendin nga kriza duke caktuar datën e zgjedhjeve dhe formatin e qeverisë që do të realizonte zgjedhjet.
LSDM opozitare konsideron se janë përmbushur kushtet bazë për tu realizuar takimi I liderëve. Zëdhënësi I partisë Petre Shilegov konsideron se liderët do të duhet të mblidhen me urgjencë që të bien dakord për zgjedhje kredibile.
“Janë përmbushur dy kushte bazë, ato janë: prolongimi I zgjedhjeve dhe shfuqizimi I abolimeve. Me këtë janë krijuar kushte dhe patjetër duhet të ketë takim liderësh ose dialog politik me qëllim që sa më shpejtë të jetë e mundur që të dakordohen dhe përmbushen kushtet që Maqedonia të realizojë zgjedhje të shpejta, fer dhe demokratike”, tha Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së
Shilegov gjithashtu ka kërkuar nga gjykata kushtetuese që urgjentisht të prononcohet mbi kushtetueshmërinë e prokurorisë publike speciale. Sipas tij vetëm në këtë formë Marrëveshja e Përzhinës mund të mbijetojë.
“Gjykata kushtetuese më shumë se tetë muaj nuk bën asgjë për ligjin e prokurorisë publike speciale dhe mban peng sikurse gjyqësorin ashtu edhe sundimin e së drejtës. Kjo nuk lejohet. Prioritet i gjykatës kushtetuese duhet të jetë kushtetueshmëria e ligjit për prokurori speciale. Qytetarët duhet të dijnë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Vetëm në këtë mënyrë Marrëveshja e Përzhniës mund të mbijetojë”, shtoi Shilegov.
Nga prokuroria speciale thonë se nuk ka bazë ligjore që ligji të shpallet si antikushtetues.
“Prokuroria speciale vepron në bazë të ligjit për prokurori speciale për zbardhjen e veprave penale nga bisedat e përgjuara. Ne konsiderojmë se veprimet tona janë në përputhje me kushtetutën e vendit, marëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë", thuhet në kumtesën e prokurorisë speciale.
MERALE ISMAILI
