Maqedoni
Matura shtetërore, sot u mbajt testimi në gjuhët e huaja
13.06.2016 15:50
15696 maturantë i janë nënshkruar sot maturës shtetërore në lëndën e gjuhëve të huaja, prej të cilëve 15.453 janë përcaktuar për gjuhën angleze...

Edhe në gjimnazin “Zef Lush Marku” numri më i madh i nxënësve janë përcaktuar për gjuhën angleze, duke iu shmangur kështu lëndës së matematikës.
“Nxënësit kanë zgjedhur kryesisht gjuhën angleze më tepër, 627 nxënës testohen në gjuhën angleze, dy në gjuhën gjermane dhe dy në gjuhën frënge. Këtë vit matematikë kanë zgjedhur vetëm tre nxënës në krahasim me vitin e kaluar ku kishim 20, por besoj se me kalimin e kohës vitin e ardhshëm do të orientohen nxënësit drejt matematikës.”- deklaroi drejtori i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, Faruk Zeqiri.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu, i cili vizitoi Gjimnazin “Zef Lush Marku”, tha se sa i përket rrjedhës së maturës shtetërore gjithçka po zhvillohet brenda normales dhe se Maqedonia në këtë drejtim është lidere në rajon.
“Sipas informacioneve dhe nga ajo që pamë, gjithçka po zhvillohet në normale. Vlen të theksohet fakti se matura shtetërore është pritur mjaft mirë si nga nxënësit, ashtu edhe nga prindërit, dhe vlen të lavdërohemi për shkak se ne jemi një shembull i mirë për rajonin, duke pasur parasysh se informatat që vijnë nga rajoni kanë pasur telashe të ndryshme, ndërsa këtu në Maqedoni po zhvillohet brenda normales.”- tha ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
I pyetur për gabimet në testimet eksterne, ministri Lutfiu iu shmang përgjegjësisë me arsyetimin se ai është vetëm dy muaj në funksion, por siguroi se do të kërkojë raport me të cilin do të bëjnë analiza dhe do të shmangen gabimet, me qëllim që të përmirësohet kualiteti. Ministri i Arsimit foli edhe për emrat e shkollave që tashmë janë ndryshuar, por që ende nuk kanë marrë vulë. Ai kërkoi nga Regjistri Qendror që të mos i politizojë institucionet arsimore, sepse, siç tha ai, ndryshimi i emrave në Komunën e Çairit është një rrugë pa kthim.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
