Maqedoni
OEM dhe HM kërkojnë debllokimin e Portit të Selanikut
13.06.2016 15:57
Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe sektori i biznesit në vend ngrenë shqetësimin e tyre për bllokimin e mallrave në Portin e Selanikut të Greqisë...

Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe sektori i biznesit në vend ngrenë shqetësimin e tyre për bllokimin e mallrave në Portin e Selanikut të Greqisë, që krijohet për shkak të grevës disamujore të punonjësve në këtë port. Ata kërkojnë ndihmë urgjente dhe kyçjen e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e kësaj çështje, sepse pasojat negative dhe dëmet financiare veç më kanë filluar t’i ndjejnë kompanitë e vendit.
“Nëse vazhdon greva, bllokimi i mallrave dhe praktika e deritanishme që të mos i realizojmë kontratat e nënshkruara për transportin e mallrave do të vazhdojë dhe do të ballafaqohemi me ardhmëri jo të ndritshme. Kompanitë e vendit do të mund të shndërrohen në furnizues të këqij, që do të thotë klientët të mos kenë dëshirë më të bashkëpunojnë me ne dhe do të mund të vendoset nën rrezik ekzistimi i shumë kompanive.”- deklaroi afaristja, Irena Jakimovska.
“Kemi dërguar letër deri te Unionin i Odave Ekonomike të Greqisë, drejtuesit e Hekurudhave të Greqisë dhe Portin e Selanikut, si dhe kemi dërguar letër deri te ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, për t’u kyçur në zgjidhjen e kësaj çështje, që do të thotë normalizim të transportit të mallrave në Portin e Selanikut.”- tha Jellisaveta Gjeorgjieva nga OEM.
Një pjesë e madhe e mallrave ushqimore dhe të metalurgjisë nga vendi transportohen përmes transportit hekurudhor të Maqedonisë. Udhëheqësit e Ndërmarrjes “Hekurudhat e Maqedonisë” thonë se dëmet financiare ndaj kësaj kompanie veç më kanë arritur deri në 3 milionë euro dhe kjo mund të ndikojë edhe te pagat e të punësuarve.
“Prej fillimit të grevës në Portin e Selanikut e deri tani “Hekurudhat e Maqedonisë” kanë pësuar rreth 3 milionë euro dëm, ndërsa indirekt prej mosrealizimit të kontratave të nënshkruara si me klientët e vendit ashtu edhe me të huajt, dëmet financiare mund të arrijnë deri më 5 milionë euro.”- theksoi drejtori ekzekutiv i NP “Hekurudhat e Maqedonisë”, Nikolla Kostov.
Gjatë vitit të kaluar, përmes korridorit 10 janë transportuar 2 milion e 840 ton mallra, ndërsa për momentin në Portin e Selanikut presin për shkarkim mbi 25 tragete me mallra. Sipas informacioneve, greva e punonjësve në Portin e Selanikut duhet të ndërpritet nesër, por deri tani nuk është konfirmuar një lajm i tillë nga autoritetet greke.
REXHEP QAMILI
