Maqedoni

Vrasja e infermieres Zdravkovska, 19 vite burg për Nikolla Kuzmanovskin

13.06.2016 16:58

U caktuan 19 vite burg për Nikolla Kuzmanovskin, i cili sipas vendimit të sotëm gjyqësor, më 9 janar të vitit të kaluar...

U caktuan 19 vite burg për Nikolla Kuzmanovskin, i cili sipas vendimit të sotëm gjyqësor, më 9 janar të vitit të kaluar, në Klinikën e Fëmijëve në Shkup ka vrarë me paramendim infermieren shtatzënë, Dijana Zdravkovska, me të cilën ka pasur lidhje jashtëmartesore.
 
“Ishim të vetëdijshëm se për këtë vepër penale pritet dënim më i rëndë, por nuk prisnim dënim kaq të lartë.”- tha pas vendimit gjyqësor avokati i të akuzuarit. Sipas palës mbrojtëse, nuk bëhej fjalë për vrasje me paramendim.
 
“Duke i marrë parasysh të gjitha dënimet e deritanishme për vrasje të dyfishta dhe trefishta, të cilat nuk sillen mbi 14 vite, jemi të dëshpëruar me vendimin, pasi duhej respektuar praktika gjyqësore.”- tha avokati, Zvonko Davidoviq.
 
Pala mbrojtëse paralajmëron ankesë në instancat më të larta gjyqësore, bazuar në pretendimin se infermierja nuk ka vdekur nga ngufatja, por nga plaga e marrë në kokë e shkaktuar nga përplasja gjatë konfliktit me të akuzuarin.
 
Vrasja ka ndodhur natën e 9 janarit, rreth orës 19, në Klinikën “Nëna Terezë” në Shkup, përkatësisht në katin e tetë të Klinikës për Sëmundje të Fëmijëve. 
 
GYLTENE SINANI