Maqedoni
Kriza politike, Thaçi: shkelja e të drejtave, problemi kryesor
13.06.2016 17:00
Kriza politike virtuale nuk përbën problemin kryesor në vend, ka vlerësuar kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi...

Sipas tij, kriza e vërtetë politike është shkelja e të drejtave të një populli që pretendon se është rreth 40% i qytetarëve të Maqedonisë.
“Problemi kryesor në Maqedoni nuk është kriza politike virtuale mes disa grupacioneve maqedonase, por kriza e vërtetë politike dhe etnike që maqedonasit vazhdojnë me kokëfortësi, shpesh herë edhe me shumë hile, duke bindur segmente të caktuara të bashkësisë ndërkombëtare që t’i shkelin të drejtat e një populli që pretendon se është afërsisht 40% i qytetarëve të Maqedonisë. Vështirësitë janë të njëpasnjëshme, koha moderne e këtyre vështirësive është se kemi pasur shumë individë dhe grupime, fatkeqësisht, edhe shqiptarë që kanë deshtë të na bindin se gjërat qenkan të renditura mbrapsht, se para duhet demokracia, e më pastaj vjen liria. Jo, fillimisht duhet liria e një populli dhe atij populli t’i mundësohet ta ngritë demokracinë.”- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi këto komente i bëri në iftarin e shtruar për strukturat partiake, ku po ashtu ka theksuar se PDSh preferon demokracinë dhe jo konfliktin dhe ekstremizmin. Sipas tij, vetëm nëpërmjet kësaj rruge do të zgjidhen problemet.
NAIM RAMADANI
