Maqedoni

Nisma për impiçment para deputetëve, përplasje e ashpër mes forcave, thuaja, të barabarta

13.06.2016 17:13

Deputetët e opozitës dhe pushtetit dolën me qëndrime të kundërta rreth nismës për përgjegjësi të presidentit Ivanov për vendimet e tij për abolim...

Sipas opozitës, Ivanov me tërheqjen e vendimit për abolim veç më e ka pranuar gabimin, por reterimi nuk e amniston nga përgjegjësia.
 
Prandaj, opozita kërkon dorëheqjen e presidentit, si përgjegjësi politike, pasi konsideron se me vendimin për abolim ka thelluar krizën dhe përgjegjësi juridike, pasi vlerëson se Ivanov ka shkelur kushtetutën dhe ka keqpërdorur pushtetin për interesa të ngushta partiake, për të mbrojtur - siç thonë - një grup të inkriminuar.  
 
“Me tërheqjen e abolimit z. Ivanov pranoi se gaboi. Pranoi se motivet e tij ishin partiake dhe jo shtetërore. Pranoi se sjellja e tij ishte skajshmërish e papërgjegjshme. Pranoi se i hodhi zjarrit benzinë dhe prandaj reteroi. Por, kjo nuk e amniston nga përgjegjësia. Përkundrazi, tërheqja e obolimeve duhej të shoqërohet me dorëheqjen e tij.”- deklaroi Renata Deskoska nga LSDM.
 
Mirëpo, kreu i Komisionit për Impiçment, Zoran Ilioski, gjatë prezantimit të raportit të Komisionit, i cili drejtohej dhe kishte shumicën e anëtarëve nga VMRO, tha se Komisioni nuk ka konstatuar bazë për të thirrur presidentin në përgjegjësi.
 
“Komisioni vlerësoi se propozimi për të ngritur procedurë për të konstatuar përgjegjësi të presidentit të RM-së, i parashtruar nga një grup deputetësh, është i pabazë. Presidenti i RM-së, z. Gjorge Ivanov, gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrimeve nuk e ka shkelur Kushtetutën dhe ligjet e RM-së.”- tha kryetari i Komisionit nga VMRO, Zoran Ilioski.
 
Edhe deputetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO janë vënë në mbrojtje të presidentit Ivanov. Sipas tyre, presidenti po e ushtron detyrën konform kompetencave që i sigurohen me kushtetutë.
Mirëpo, partneri shqiptar i shumicës parlamentare nuk mendon ashtu. BDI u radhit pas opozitës në nismën për përgjegjësi të presidentit. 
 
“Me atë vendim kriza në RM edhe më tej u thellua dhe dëmin më të madh ia bëri RM-së. Imazhi i vendit tonë u prish apo u dëmtua në sytë e qendrave botërore. U dëmtuan edhe të gjithë ato emra që ai i aboloi, pavarësisht a kanë vepra apo s’kanë vepra. Fjalën e fundit në këtë rast duhej ta thotë gjykata, jo Gjorge Ivanovi.”- theksoi Rafiz Haliti nga BDI.   
 
Ndryshe, opozita maqedonase ngriti nisëm për përgjegjësinë e presidentit të RM-së, pasi vlerëson se me vendimet e tij për abolim Ivanov ka shkelur disa nene të Kushtetutës së RM-së, para së gjithash nenin 8, paragrafi 1, kryerreshti tre dhe katër, të cilat si vlerë themelore të rendit kushtetues parashohin sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve; nenin 9, i cili parasheh ndalesë për diskriminim në bazë të pozitës shoqërore; nenin 68, paragrafi 1, pika 18, e cila parasheh që Kuvendi të japë amnisti; neni 84, i cili parasheh kompetencat e presidentit të RM-së dhe nenin 106, i cili parasheh kompetencat e Prokurorisë Publike. Për diskutim janë paraqitur 86 deputetë, që nënkupton se seanca mund të zgjasë disa ditë.    
 
SHPËTIM NUREDINI