Botë

Vrasjet në Orlando, ish-bashkëshortja: Mateen ishte i dhunshëm, por jo ekstremist

13.06.2016 17:29

Një njeri i paqëndrueshëm mendërisht, i dhunshëm e i mbushur me urrejtje...

Ky ishte autori i masakrës më të madhe të historisë së Shteteve të Bashkuara, atë të Orlandos në Florida.
 
Omar Mateen vrau 50 vetë e plagosi 53 të tjerë në klubin e natës “Pulse Club”, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia. Ish e shoqja rrëfeu se, përgjatë lidhjes së tyre bashkëshortore, 29-vjeçari e kishte keqtrajtuar fizikisht dhe se, dukej që kishte probleme me shëndetin mendor, por as ata që e njihnin nga afër nuk mendonin se do të shkonte në një akt kaq ekstrem.
 
“Në fillim ishte normal, kujdesej për familjen. Por, pak muaj pas martese u bë jostabil dhe nervozohej për asgjë. Kishte momente që urrente çdo gjë dhe gjithçka. Ai ishte i paqëndrueshëm dhe i sëmurë mendërisht. Ky është i vetmi shpjegim që mund të jap.”- deklaroi ish bashkëshortja e Omar Mateen, Sitora Yusuf.
 
Si njeri të qetë e përshkruan 29-vjeçarin edhe imami i xhamisë së Floridës së frekuentuar nga Omari për gati 10 vite.
 
“Kur ndodh diçka që lidhet me ne, ne shokohemi më shumë se të tjerët. Ishte një befasi për të gjithë. Është akt i një individi, vetëm Zoti e di çfarë sillet në mendjen e njerëzve të tillë. Unë e njoh familjen e tij, edhe ata janë po kaq të shokuar sa ne të gjithë. Mesazhi im për të gjithë prindërit është: të ndikojnë te fëmijët që të praktikojnë islamin e moderuar.”- tha imami në Qendrën islamike në Fort Prince, Syed Shafeeq Rahman.
 
Deri tani janë identifikuar 21 prej viktimave, 17 meshkuj dhe 4 femra.
 
Mateenin, shtetas amerikan me origjinë afgane dhe i lindur në Nju Jork, por që jetonte në Florida, nuk figuronte në listën e të dyshuarve për terrorizëm, por ishte intervistuar dy herë nga FBI-ja për komente ndaj një kolegu që nxiste urrejtje. “Shteti Islamik”, ndërkohë, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. 
 
GAZMEND REXHEPI