Botë

Në territorin e kontrolluar nga ISIS aktualisht ndodhen mbi 80 fëmijë boshnjakë

14.06.2016 15:18

Mbi 80 fëmijë boshnjakë ndodhen në territorin që kontrollohet nga grupi militant “Shteti Islamik” në Siri dhe Irak...

Mbi 80 fëmijë boshnjakë ndodhen në territorin që kontrollohet nga grupi militant “Shteti Islamik” në Siri dhe Irak, dhe mund të paraqesin rrezik të madh për sigurinë e këtij vendi ballkanik pas kthimit të tyre, thuhet në një analizë të kryer nga “Nisma Atlantike”, me seli në Sarajevë.

Në analizë po ashtu thuhet se numri i luftëtarëve meshkuj, i cili ka qenë 188 në periudhën trevjeçare deri në fund të vitit 2015, ka rënë në 91, pasi 47 persona janë kthyer në Bosnje dhe 50 kanë vdekur.

Sipas analizës, më pak se gjysma e boshnjakëve në Siri në muajin prill kanë qenë të moshës ushtarake dhe atje kanë qenë edhe 52 gra dhe 80 fëmijë.

Disa fëmijë, të cilët kanë shkuar në rajon me familjet e tyre, u janë bashkuar njësiteve ushtarake të “Shtetit Islamik”, thuhet në analizë.

Së paku një i mitur nga Bosnja është vrarë duke luftuar, thuhet në analizën që u bën thirrje autoriteteve boshnjake të parandalojnë dërgimin e fëmijëve në zona të konfliktit.

“Po shohim një brez krejtësisht të ri të fëmijëve që janë rritur në fushëbetejë ose pranë fushëbetejës”, tha Vllado Azinoviq, bashkautor i analizës.