Botë

Paris, vritet një polic dhe partnerja e tij

14.06.2016 15:39

Një oficer i lartë i Policisë franceze dhe partnerja e tij janë therur për vdekje në lagjen Magnanville, në periferi të Parisit...

Sulmuesi është vrarë po ashtu nga policia, ndërsa një djalë i vogël është shpëtuar në vendin e ngjarjes.

Një agjenci lajmesh e lidhur me të ashtuquajturin “Shtet Islamik” ka njoftuar se përgjegjësinë për sulmin e merr grupi militant “Shteti Islamik”.

Prokurorët francezë kanë nisur hetimet, derisa nga zyra e presidentit të Francës, Francois Hollande, kanë njoftuar se do të mbajnë një takim mëngjesin e sotëm për të diskutuar incidentin.

Masat e sigurisë në Francë janë shtuar pasi aktualisht atje po zhvillohet Kampionati Evropian në Futboll, ndërsa Franca ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme që prej sulmeve të 13 nëntorit të vitit të kaluar në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 persona.