Maqedoni
Ligji i ri për përmbarim së shpejti në fuqi, përmbaruesit do t’i paralajmërojnë borxhlinjtë
14.06.2016 16:09
Përmbaruesit e vendit po bëjnë përgatitjet e fundit për zbatimin e dispozitave të reja të Ligjit për përmbarim, të cilat u miratuan në fund të vitit të kaluar dhe që priten të zbatohen prej 20 gusht të këtij viti...

Oda e Përmbaruesve dhe Shoqata “Prvomatika” organizuan debat këshillues për të gjithë përmbaruesit për të njoftuar me risitë që përmban ligji.
Ligji i ri për përmbarim tashmë mundëson që t’u jepet edhe një shans tjetër borxhlinjve për shlyerjen e borxheve para se të bllokohen xhirollogaritë e tyre.
“Ligji i ri për përmbarim parashikon shumë risi dhe mundësi të volitshme për qytetarët, gjegjësisht për shlyerjen e borxheve komunale për qytetarët nga kategoritë e rrezikuara sociale. Tashmë këto borxhe parashikohen të shlyhen me shumë pak shpenzime jashtë procedurës së përmbarimit dhe procedurës gjyqësore. Përmbaruesit do të kenë obligim borxhlinjve t’u bëjnë me dije për borxhin që kanë dhe t’u japin edhe një shans tjetër që në një periudhë të caktuar t’a paguajnë borxhin para se t’i përmbarojnë.”- deklaroi kryetari i Odës së Përmbaruesve, Zoran Petrevski.
“Mendojmë që këto debate këshilluese për të gjitha palët e përfshira në procedurën e përmbarimit janë një hap përpara dhe do të japin benefite të mira, duke pasur parasysh se ka kohë të mjaftueshme për të dhënë udhëzime se si ky ligj në praktikë të zbatohet me sukses.”- tha Danica Miladinova nga “Prvomatika”.
Ndryshimet e fundit gjithashtu do të përmirësojnë statusin e përmbaruesve, do të mundësojnë informimin dhe mbrojtjen e të gjitha palëve në konteste të ndryshme gjatë procedurës së përmbarimit dhe do t’i jepet fund zbrazëtirës ligjore që agjenci të ndryshme të lajmërohen në emër të përmbaruesve dhe t’i kërkojnë të hollat e qytetarëve.
REXHEP QAMILI
