Maqedoni

Së shpejti takim liderësh, partitë fillojnë përgatitjet

14.06.2016 16:12

Brukseli zyrtar shpreson se gjatë kësaj jave do të vijë deri te takimi i liderëve në Maqedoni...

Brukseli zyrtar shpreson se gjatë kësaj jave do të vijë deri te takimi i liderëve në Maqedoni, në të cilin katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës do të bisedonin për tejkalimin e krizës politike.
 
Nga Komisioni Evropian po ashtu bëjnë të ditur se janë në kontakt të vazhdueshëm me partitë në Maqedoni.
 
“Delegacioni i BE-së është në kontakt me partitë dhe shpresojmë se ata do të pajtohen që të takohen gjatë kësaj jave.”- ka deklaruar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.
 
Pas thirrjeve të shumta të bashkësisë ndërkombëtare, jozyrtarisht mësohet se kanë filluar edhe përgatitjet në nivel të grupeve të punës për mbajtjen e një takimi liderësh.
 
Në prani të ambasadorit amerikan dhe BE-së, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, janë takuar Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE, Radmilla Sheqerinska nga LSDM, Artan Grubi nga BDI dhe Imer Aliu nga PDSh. 
 
Ambasadorët, Xhes Bejli dhe Aivo Orav, shkurt dhe me një dozë optimizmi deklaruan se shumë shpejt kriza mund të ketë epilog. “Po takohemi me partitë politike ashtu siç jemi takuar gjatë javëve të kaluara. Shpresojmë që të shënojmë ndonjë përparim gjatë ditëve në vijim.”- tha ambasador i ShBA-së, Xhes Bejli. 
 
“Vetëm mund ta përsëris të njëjtën. Jemi në kontakt me partitë. Negociatat vazhdojnë dhe po shpresojmë që të ketë marrëveshje sa më parë të jetë e mundur.”- theksoi ambasador i BE-së, Aivo Orav. 
 
Kurse Radmilla Shekerinska e LSDM-së tha se ky takim u mundësua pas anulimit të zgjedhjeve dhe faljeve nga presidenti Ivanov.
 
“Është herët që të thuhet se si do të rrjedh procesi, por e dimë që Maqedonia ka nevojë sa më shpejt të zgjidh krizën. Jeni në situatë kur secila çështje e ‘Përzhinës’ është peng dhe nuk duhet të lejojmë që Maqedonia të hyjë nga një krizë politike në një tjetër. Sipas nesh, nevojitet që të partitë të kërkojnë zgjidhje për daljen nga kriza politike, të përmbushen sa më herët të gjitha kushtet për zgjedhje demokratike dhe të drejta, që të mos përsëriten zgjedhjet e kaluara kriminele dhe t’i japim mundësi qytetarëve të Maqedonisë dhe jo qeverisjes që të vendos se kush do ta mbajë përgjegjësinë për Maqedoninë në periudhën që vjen.”- u shpreh Radmilla Shekerinska nga LSDM.
 
Takimi vjen pas deklaratave të fundit të kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski,  se është dakord për takim, por paraprakisht duhet saktësuar temat për çka do të bisedohet dhe pas deklaratës së zëdhënësit socialdemokrat, Shilegov, se janë krijuar kushte minimale për rifillimin e bisedimeve.
 
GYLTENE SINANI