Maqedoni

“Ndaj jetë, dhuro gjak!”, shënohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut

14.06.2016 16:20

Me moton "Gjaku na bashkon të gjithëve. Ndaj jetë, dhuro gjak!", u shënua Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut...

Gjaku ka një cikël riprodhimi të përhershëm prej 21 ditësh, pra është e zakonshme që ai të shkatërrohet vetë. “Përse t’a lejmë të shkojë dëm?!”- apeluan mjekët me këtë rast. Edhe sivjet u organizuan aktivitete të shumta nga Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit. Kjo ditë mbahet çdo vit në 14 qershor, duke filluar nga viti 2004.
 
“Jemi këtu bashkë me dhuruesit e gjakut, me qytetarët bashkë më të rinjtë që edhe njëherë të bëjmë apel për vlerën dhe rëndësinë që ka të dhuruarit e gjakut. Kryqi i Kuq i Maqedonisë në bashkëpunim me transfuziologjinë e RM-së, vitet e kaluara nevojat për gjak të sistemit mjekësor, qoftë privat apo publik, janë plotësuar në nivelin e duhur, numri që e arritëm vitin e kaluar ishte afër 55 mijë njësi gjaku.”- deklaroi sekretari gjeneral i Kryqit të Kuq, Sait Saiti. 
 
“Ftojmë të gjithë personat në Maqedoni që janë në gjendje të mirë shëndetësore, që të dhurojnë gjak, të bëhen humanë, të shpëtojnë jetë.”- theksoi një mjek.
 
“Unë 25 herë kam dhuruar gjak, jam anëtare e Kryqit të Kuq. Për herë të parë në fakultet kishte aksion për të dhuruar gjak dhe vendosa të jap gjak, t’ia shpëtoj jetën dikujt, dhe shkova me gëzim në shtëpi, iu tregova prindërve se dhurova gjak.”- u shpreh dhuruesja e gjakut, Fatma Amid.
 
Të dhurosh gjak është një akt solidariteti human që shpëton jetën e njerëzve në nevojë. Ajo është dhurata më e çmuar që ne mund t’i bëjmë një njeriu tjetër që ka nevojë.
 
Gjaku është dhurata e jetës, ndaj në këtë ditë shtohen apelet që këtë dhuratë ta ndani me ata që kanë më shumë nevojë.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI