Maqedoni

Rasti “Kumanova”, të pandehurit: Po na keqtrajtojnë

14.06.2016 17:13

Ka vazhduar seanca gjyqësore për ndodhitë e 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Të pandehurit vazhdojnë të ankohen për dhunë fizike ndaj tyre...

Sevdail Miftari tha para trupit gjykues se anëtarët e njësitit policor “Alfa” po i keqtrajtojnë gjatë rrugës për në gjykatë, duke i gjuajtur, madje, edhe me shqelma.
 
Këtë pohim e mbështesin edhe të pandehurit e tjerë, Lirim Krasniqi dhe Hajrush Avdiu. Avokatët mbrojtës akuzojnë organet kompetente se, edhe përkundër ankesave, nuk po ndërmarrin asgjë për të mbrojtur liritë e të akuzuarve.
 
As Prokuroria, as Avokati i Popullit, as Ministria e  Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme nuk po e bëjnë punën e tyre si duhet, thotë avokati, Naser Raufi. Ai paralajmëron padi penale për MPB-në.
 
“Tre persona janë të malltretuar përsëri dhe mendoj se as Avokati i Popullit, as Prokuroria nuk e punojnë punën e tyre siç duhet, në kontinuitet vazhdojnë maltretimet që nga fillimi e deri më sot i të arrestuarve. Përsëri do të japim edhe një padi penale për rastin e fundit dhe shpresojmë se gjykata do të veprojë sipas ligjit. Drejtori i burgut, gardianët, të gjithë e kanë përgjegjësinë, posaçërisht Ministria e Drejtësisë. Do të kërkojmë përgjegjësi dhe do të ngrejmë padi penale edhe për MPB-në.”- theksoi avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Njëkohësisht, avokatët paralajmëruan se do të kërkojnë që të gjithë personat që përmenden nga të akuzuarit si të involvuar në rastin e Kumanovës, siç është Nimetulla Abdullau, të propozohen si dëshmitarë nga pala mbrojtëse. 
 
“Prokuroria e ka të drejtën që nëse dëgjon ndonjë dëshmitar si në këtë rast, ka të drejtë sipas ligjit edhe ta propozojë, por për çdo rast edhe ne do ta propozojmë sigurisht. Çdo person i përmendur dhe që është i involvuar në këtë rast, do të ftojmë të dëshmojë.”- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
“Besoj se edhe Prokuroria do të ndërmarrë diçka që të sigurohen ata persona, që të kemi një proces më transparent, por nëse këtë nuk e ndërmerr Prokuroria, ne si palë mbrojtëse do të kërkojmë që ata persona, të cilët kanë qenë të kyçur në radhën e të akuzuarve, që të vijnë dhe të na sqarojnë se çka konkretisht ka ndodhur.”- u shpreh avokati mbrojtës, Mefail Arsllani.
 
Seanca e radhës do të mbahet më 16 qershor, por do të jetë e mbyllur për opinionin, pasi që do të fillohet me dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtur. 
 
SANIJE DURAKU