Maqedoni

Kuvend, debati për impiçment të Ivanovit me interes shtetëror

14.06.2016 17:16

Debati për të ngritur procedurë para Gjykatës Kushtetuese për përgjegjësi të presidentit të Republikës, Gjorge Ivanov, vazhdon për dy ditë radhazi...

Deputetët e VMRO-DPMNE-së me ngulm po mbrojnë presidentin Ivanov dhe vendimin e tij për abolim. Sipas tyre, vendimi i presidentit është konform Kushtetutës dhe Ligjit për falje dhe në interes të Republikës.    
 
“Kryetari i Republikës, me përjashtim, mund të falë person dhe persona kur ajo është në interes të Republikës dhe kjo na udhëzon se askund nuk qëndron se sa persona mund të falen. Theksoj, mund të falë person të caktuar ose persona kur është në interes të Republikës. Presidenti nuk vendos në cilësinë e organit gjyqësor, por si organ shtetëror, i cili e ka fituar legjitimitetin në zgjedhje të drejtpërdrejta.”- deklaroi Momçillo Avramovski nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo, opozita pyeti deputetët e VMRO-së të sqarojnë në cilin rast ka pasur të drejtë Ivanov, kur e miratoi vendimin për abolim apo kur e tërhoqi atë. “Në cilin rast i mbrojti interesat e shtetit?”- pyeti Sonja Mirakoska.  
 
“Tregoni kur kishte të drejtë, në momentin kur e mori vendimin për abolicion, që në fakt ishte amnisti, ose kur e tërhoqi vendimin? Kur kishte të drejtë? Dhe, përse e detyruat edhe një herë të vetëshkatërrohet, përkatësisht të bëjë përjashtim për vetëm 21-22 persona, dhe sërish t’i bëjë obstruksion PPS-së? E dini pse, sepse ju ju udhëheqin kriminelë dhe ju jeni të detyruar të luftoni që t’i shpëtoni.”- theksoi Sonja Mirakoska nga LSDM.
 
Opozita ftoi shumicën parlamentare që ta mbështesin nismën për përgjegjësi të presidentit dhe të mos bëhen bashkëfajtorë. 
 
“Duhet që ju vetë t’ia caktoni dënimin atij që ju keqpërdor gjatë gjithë kohës. Nëse e bëni këtë, do të mbaheni mend për të mirë në RM. Nëse veproni ndryshe, ju do të jeni vetëm ekzekutorë dhe pjesëmarrës në gjithë atë që po ndodh sot në RM.”- tha Stojko Paunoski nga LSDM.
 
Mirëpo, deputetët e VMRO-së vlerësojnë se mbrojtja e Ivanovit është dëm më i vogël, krahasuar me valëvitjen e flamurit shqiptar në protestat e LSDM-së.  
 
“Shumë i vogël është gabimi që ne deputetët e VMRO-DPMNE-së do ta bëjmë nëse e gabojmë ndonjërën nga sustat, se sa gabimi që bëtë ju në protestën e partisë suaj në Tetovë, ku nuk e kishit flamurin shtetëror dhe valëvitnit flamur të një shteti tjetër. Ky është gabim shumë i madh që nuk do t’jua falin qytetarët e RM-së dhe do t’ju dënojnë kurdo që të dilni në zgjedhje.”- u shpreh Bllagoja Despotoski nga VMRO-DPMNE.
 
Deputetët e VMRO-së sërish akuzuan propozuesit e nismës për impiçment si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja. Debati për përgjegjësinë e Ivanovit karakterizohet me digresione të gjata rreth zhvillimeve politike të viteve të fundit, me ç’rast deputetët po qërojnë hesape mes veti dhe bëjnë fushatë.
 
SHPËTIM NUREDINI