Maqedoni

Lista zgjedhore, anulohet takimi i grupeve të punës

14.06.2016 17:23

Takimi i parë i grupit të punës lidhur me aktivitetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve...

Takimi i parë i grupit të punës lidhur me aktivitetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, i cili ka të bëjë kryesisht me pastrimin e Regjistrit Zgjedhor dhe verifikimin e tij është shtyrë për një afat të pacaktuar.

Burime pranë Komisionit Shtetëror njoftojnë se takimi është shtyrë me qëllim që t’ju jepet hapësirë subjekteve politike për të harmonizuar qëndrimet dhe kërkesat e tyre, por pa caktuar ndonjë termin të ri për realizimin e takimit.

Subjektet politike akoma nuk janë prononcuar lidhur me pjesëmarrjen e tyre në këtë grup pune.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ditë më parë njoftoi se në takim do të marrin pjesë përfaqësues të disa ambasadave të huaja në vend, përfaqësues të të gjitha partive politike, të institucioneve me bazë të dhënash për Regjistrin Zgjedhor e të tjerë.

Ndryshe, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka iniciuar mbajtjen e grupit të punës dhe pretendon se procedura e re do të kthejë besimin e qytetarëve te Regjistri Zgjedhor.

NAIM RAMADANI