Maqedoni
Deponi e egër në Bogovinë, autoritetet kërkojnë ndihmën e inspektorëve
14.06.2016 17:30
Tani që deponia Rusino në Gostivar nuk pranon më mbeturinat nga komunat e tjera të Pollogut, nëpër komunat më të vogla kanë filluar të paraqiten deponitë e egra...

Një prej tyre është ajo në Komunën e Bogovinës. Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” thonë se kjo deponi e egër është krijuar nga disa persona të pandërgjegjshëm, ndërkohë akuzojnë inspektoratin se nuk është në krye të detyrës.
“Nga ana jonë, ne si ndërmarrës, ne nuk mund të krijojmë, jemi të përkushtuar për një shërbim sa më cilësor ndaj qytetarëve, është pastrimi i terrenit, jo të krijojmë deponi të egra. Persona të pandërgjegjshëm që kanë hedhur materiale të forta, nëpërmjet tyre janë munduar të hedhin edhe mbeturina ose edhe mbeturina të amvisërisë. Ne s’guxojmë ligjërisht të krijojmë, prioriteti ynë është të kemi një terren sa më të pastër dhe kjo ndoshta është si pasojë e punës së inspektorit të dalë në terren.”- deklaroi Halit Abdiu nga NPK “Sharri”.
Ky nuk është rasti i vetëm, deponi të egra kohëve të fundit janë shfaqur edhe në Komunën e Vrapçishtit, Tearcës dhe Brvenicës.
VISARI SADIKI
