Maqedoni
Rastet “TNT” dhe “Transportuesi”, Janeva i pranon vendimet e Gjykatës Penale
14.06.2016 17:35
Gjykata Penale më në fund edhe zyrtarisht ia dorëzoi Prokurorisë Speciale vendimet për refuzimin e kërkesës së PSP-së...

Gjykata Penale më në fund edhe zyrtarisht ia dorëzoi Prokurorisë Speciale vendimet për refuzimin e kërkesës së PSP-së për marrjen e pasaportave për tre të dyshuarit në lëndën “TNT”, Nikolla Gruevskit, Mile Janakievskit dhe Toni Trajkovskit. Nga ekipi i Janevës thonë se do t’i ankimojnë këto vendime.
“Prokuroria Speciale pranoi vendimet e Gjykatësit në procedurë paraprake lidhur me kërkesat tona për masa kujdesi për rastin “TNT” dhe për kërkesën për paraburgim në rastin “Transportuesi”. Janë duke u përgatitur ankesa ndaj vendimeve për të dyja lëndët dhe të njëjtat do të parashtrohen gjatë ditës së sotme.”- njoftojnë nga Prokuroria Speciale.
Gjithashtu, Specialja pranoi edhe vendimin me të cilin është refuzuar kërkesa për paraburgimin e kryetarit të Manastirit, Vlladimir Taleski. Gjithsesi, në këtë rast Gjykata Penale vendosi që t’i marrë pasaportën Talevskit për të pamundësuar ndonjë largim të tij eventual jashtë vendit.
Ky vendim ka shkaktuar reagimin e avokatit të tij mbrojtës, i cili paralajmëron se do ta ankimojë të njëjtin. Për këto ankesa duhet të vendosë Këshilli i gjykatësve.
Në radhë për t’u shqyrtuar nga Gjykata Penale, presin edhe vendimet e tjera të Prokurorisë Speciale, mes të cilave edhe propozimi për paraburgimin Goran Grujevskit, megjithëse duket se edhe kjo kërkesë do të refuzohet, siç është bërë deri tani me të gjitha kërkesat e ekipit të Janevës.
BESIM ABDULLAI
