Maqedoni

Sulmi në Orlando nxit debatin politik “Të ndalohen armët apo myslimanët në ShBA?”

14.06.2016 17:39

“Të ndalohen myslimanët që të hyjnë në ShBA, apo të ndalohet shitja e armëve me lehtësinë që momentalisht bëhet në ShBA?”..

Kjo është tema që mund thellojë edhe më shumë polarizimet në debatet politike në ShBA, pasi amerikani me origjinë nga Afganistani, Omar Mateen, vrau 49 persona dhe plagosi 53 të tjerë në Orlando.
 
2016-ta është vit zgjedhor në ShBA dhe debati mbi armët ka prekur fushatën e pasardhësve të Obamës. Kandidatja demokrate për presidente të ShBA-së, Hillary Clinton, kërkoi rivendosjen e ndalimit të armëve të zjarrit ose vendosjen e  masave të arsyeshme që të ofrohet siguri nga armët.
 
“Armët nuk e kanë vendin në rrugë dhe ne kemi mosmarrëveshje për çështjen e rregullativës së sigurisë në Ligjin për armë. Por, duhet të dakordohemi në një gjë. Nëse një njeri është i dyshuar i FBI-së si i lidhur me terroristët, atij në asnjë mënyrë nuk i duhet lejuar blerja e armëve.”- deklaroi kandidatja demokrate për presidente e ShBA-së, Hillary Clinton.
 
Trump e konsideron kërkesën për heqjen e kësaj të drejte si dobësi. Për kandidatin republikan për president, problemi mund të zgjidhet nëse ndalohen myslimanët të hyjnë në ShBA.
 
“Arsyeja përse vrasësi ishte në Amerikë është vetëm sepse ne i lejuam familjes së tij që të jetonte këtu. Shumë nga principet e islamit radikal nuk përputhen me vlerat e demokracive perëndimore. Islami radikal është anti-grave, anti-homoseksualëve dhe anti-Amerikës. Refuzoj të  lejoj që amerikanët gei, amerikanët hebrenj apo ata kristianë, të kthehen në target të islamistëve radikalë. Kjo do të përfundojë sapo të zgjidhem president.”- tha kandidati  republikan për president të ShBA-së, Donald Trump.
 
Presidenti Obama sulmin në Orlando e cilësoi si “vepër të terrorit”, e nxitur nga brenda ShBA-së. 
 
Omar Mateen, autori i vrasjeve masive në Orlando, derisa mbante peng 30 persona brenda klubit të natës “Pulse”, e ka telefonuar policinë, duke i thënë se ai është besnik ndaj grupit militant “Shteti Islamik”. 
 
GAZMEND REXHEPI