Botë

Orlando–ShBA, aligatori rrëmben fëmijën në një resort luksoz

15.06.2016 13:02

Pas vrasjes së këngëtares së “The Voice”, Vhristina Grimmie, dhe masakrës së klubit të homoseksualëve...

Pas vrasjes së këngëtares së “The Voice”, Vhristina Grimmie, dhe masakrës së klubit të homoseksualëve, Orlandoja e Floridës bëhet skenë e një tjetër ngjarjeje tronditëse.

Një fëmijë dyvjeçar është rrëmbyer nga një aligator, e ndonëse policia po e kërkon intensivisht, shpresat e gjetjes së tij janë të pakta.

Fëmija ishte duke qëndruar në bregun e lagunës “Shtatë detrat”, kur zvarraniku e ka sulmuar dhe e ka tërhequr në ujë.

Babai i djalit ka hyrë në lagunë e është përpjekur t’ia shkulë të birin aligatorit, por pa sukses. Me dhjetëra policë dhe ekspertë të jetës së egër janë angazhuar në kërkimin e të miturit.

Familja me tre fëmijë nga Nebraska po pushonte në brigjet e lagunës, kur ndodhi ngjarja e rëndë.

Vendi ku ata ndodheshin, “The Grand Floridian”, është një resort luksi në pronësi të “Disney”-t, e cila ndodhet shumë pranë parkut të këtij të fundit në zonë.

Një zëdhënëse e kompanisë tha se drejtuesit e saj janë të “shkatërruar” nga incidenti.

22 persona janë vrarë nga aligatorët në Florida që prej vitit 1948.

GAZMEND KURTISHI