Maqedoni
Përfundon projekti i USAID-it, zhvillim profesional për arsim cilësor
15.06.2016 13:44
Zhvillimi profesional dhe në karrierë i arsimtarëve është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e vetë sistemit arsimor...

Zhvillimi profesional dhe në karrierë i arsimtarëve është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e vetë sistemit arsimor dhe ka si qëllim të kontribuohet për punë më cilësore edukativo-arsimore, si dhe të arritura më të larta të nxënësve në Maqedoni.
Byroja për zhvillimin e arsimit, e ndihmuar nga USAID, ka përfunduar tashmë me sukses një projekt që kishte si qëllim vendosjen e standardeve dhe instrumenteve të qarta për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së kuadrit mësimdhënës.
“Përmirësimi i cilësisë së arsimit bëhet përmes krijimit të sistemit funksional për zhvillim profesional dhe në karrierë, përmirësimit të ligjeve ekzistuese, zhvillimit të kompetencave për tërë kuadrin arsimor, duke përfshirë arsimtarët, bashkëpunëtorët profesional dhe drejtorët e shkollave.”- deklaroi drejtori i USAID-it, Xhejms Stajn.
“Me rezultatet e prezantuara tashmë e kemi kornizën ligjore, gjegjësisht tashmë e kemi sjellë ligjin për arsimtarët, që është rregulluar përparimi profesional në karrierë.”- tha drejtoresha e Byrosë për zhvillimin e arsimit, Vesna Horvatoviq.
“Kompetencat që deshëm t’i zhvillojmë te profilet e ndryshme të kuadrit edukativo-arsimor janë të ngjashme me pritjet në vendet tjera… Këto dokumente në të ardhmen duhet të jenë bazë për të gjithë ne, që në mënyrë më cilësore të punojmë në zhvillimin profesional të kuadrit arsimor.”- theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu.
Ky projekt ka filluar të implementohet në vitin 2012 dhe ka zgjatur deri në qershor të këtij viti.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
