Maqedoni

Incidenti në Tetovë, dorëzohen sulmuesit e policëve

15.06.2016 15:42

Mesditën e sotme janë dorëzuar në polici 40 vjeçari I. I., nga Tetova, dhe babai i tij, 69 vjeçari A. I....

Ata tashmë gjashtë ditë kërkoheshin nga policia për përfshirjen e tyre në rrahjen e policëve në Tetovë, e cila ndodhi kur uniformat blu po përpiqeshin të kapnin 40 vjeçarin ndaj të cilit ishte ngritur një procedurë arresti.

Ata u dorëzuan sot në orën 13 në prani të avokatit të tyre. Që të dyve, gjykatësi i procedurës paraprake iu ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. 

40 vjeçari është dërguar menjëherë në burgun e Tetovës për mbajtje në paraburgimit dhe ai ka edhe një fletëarrest paraprak.

Ndërsa babai i tij, 69 vjeçari A. I., pasditen e sotme është dorëzuar në burgun e Idrizovës në Shkup. I dyshuari i parë dhe babai i tij u përfshinë javën e kaluar në një përleshje të rëndë me forcat e rendit që kishin shkuar të kapnin të dyshuarin, i cili duhej të vuante dënimin me një vit burg për lëndimin e një personi. Njëri prej tyre me shufër metalike ka sulmuar policët.

Gjatë përleshjes dy prej policëve mbetën më rëndë të lënduar, njëri prej tyre ende vazhdon të qëndrojë në Spitalin Klinik të Shkupit, por është jashtë rrezikut për jetën, ndërsa personi tjetër pas kurimit është lëshuar nga spitali.

VISAR SADIKI